KQZ-ja s’vendos kur fillon rinumërimi i 1472 vendvotimeve, po pret vendimin e Supremes

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka marrë vendim se kur do të fillojë rinumërimi i 1472 vendvotimeve, për të cilat morri vendim Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), raporton Ekonomia Online.

PZAP-ja ka marrë vendim që pas 52 ankesave që janë bërë, të ketë rinumërim të 1472 vendvotimeve.

Po ashtu PZAP, ka marrë vendim në favor të ankesës së koalicionit Nisma-AKR-PD lidhur me votat e Serbisë.

“Lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, ka vendosur që të pranoj të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në, që të largoj nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Javën e kaluar KQZ bëri shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, ndërkaq Nisma kundërshtoi këto rezultate duke akuzuar KQZ-së se i ka fabrikuar.