KQZ-ja vendos të rinumërohen edhe 43 vendvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të rinumërohen tetë vendvotime për kryetar komunash edhe 35 vendvotime për Kuvende Komunale.

Ky vendim erdhi në mbledhjen që KQZ e mbajti sot gjatë ditës.

Kryeshefi i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR), Burim Ahmetaj, ka thënë se në këto vendvotime ka pasur mospërputhje të votave mes subjekteve dhe kandidatëve.

“QNR gjatë procesimit të formularëve, një numër i caktuar nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta. Të dhënat që janë të shënuara në formularë nuk janë të kuptueshme. Meqenëse kemi të bëjmë me ngatërrim të rubrikave, pra kemi edhe mospërputhje të votave mes subjekteve e kandidatëve. Si rrjedhojë, gjatë hetimit konstatohet se nuk mund të procesohen si të tilla e rekomandohet që këto vendvotime të rinumërohen. 8 vendvotime për kryetar edhe 35 për kuvende komunale”, tha ai.

Po ashtu, KQZ ka njoftuar se procesi i rinumërimit të këtyre vendvotimeve do të bëhet sot në orën 17:00.

“Ju njoftoj se sot (e hënë, 25 tetor, ora 17:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë procesi i rinumërimit të 8 vendvotimeve të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe 35 vendvotimeve të Zgjedhjeve për Kuvende Komunale”, thuhet në njoftim.