KQZ nis verifikimin e aplikacioneve të diasporës, mbi 75% e aplikuesve janë lajmëruar në telefon

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka informuar të gjithë aplikuesit që kanë aplikuar për t’u regjistruar si votues jashtë vendit se ka filluar procesin e verifikimit të tyre duke i kontaktuar përmes telefonit.

Sipas njoftimit të KQZ-së, mbi 75 për qind e aplikuesve që janë kontaktuar deri më tani, janë lajmëruar në telefon.

“KQZ po kontakton aplikuesit përmes telefonit dhe nga rreth 2000 persona të kontaktuar, në thirrjet e para të realizuara, mbi 75% e aplikuesve janë lajmëruar në telefon dhe janë konfirmuar aplikimet e tyre”, thuhet në njoftim.

KQZ do të vazhdojë të kontaktojë përsëri aplikuesit në mënyrë që t’iu mundësojë verifikimin e aplikimit të tyre.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur afatin e aplikimit të subjekteve politike dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetët që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 14 shkurt 2021.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se gjatë kohës së rezervuar janë dorëzuar për aplikim dhe certifikim dhe listën e kandidatëve, gjithsejt: 28 subjekte politike, prej tyre: 21 parti politike; 2 koalicione; dhe 5 iniciativa qytetare.

Elezi njoftoi se numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është 1 079 kandidatë.

“Gjatë afatit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 8 janar – 16 janar, kanë dorëzuar aplikimin për çertifikim dhe listën e kandidatëve, gjithsejt: 28 subjekte politike, prej tyre: 21 parti politike; 2 koalicione; dhe 5 iniciativa qytetare. Nuk është paraqitur asnjë kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është 1 079 kandidatë”, tha Elezi.