KQZ: Nuk ka pasur asnjë parregullsi në proceset zgjedhore në komunën e Podujevës dhe të Mitrovicës Veriore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur konferencë për media ku ka njoftuar se deri tani nuk ka pasur asnjë parregullsi në proceset zgjedhore në komunën e Podujevës dhe të Mitrovicës Veriore.

Kreytarja e KQZ-së, Valdete Daka ka treguar se deri në orën 11:00, ka pasur më pak qytetarë që kanë votuar, krahasuar me zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2017, raporton Gazeta Express.

“Ju njoftoj se deri në këto momente që po flasim, procesi zgjedhor në këto dy komuna është duke u zhvilluar normalisht dhe nuk ka pasur deri më tani ndonjë lajmërim për parregullësi gjatë votimit. Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Komunën e Podujevës, deri në orën 11:00 kanë votuar 8.27% e votuesve apo 7 mijë e 223 votues nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 7 mijë e 658 votues apo 9.1%”, ka thënë Daka.

Ajo ka treguar se i njëjti trend i daljes për të votuar e ka përcjellur edhe Mitrovicën e Veriut.

“Ndërsa, në Komunën e Mitrovicës së Veriut, deri në orën 11:00 kanë votuar 12.62% e votuesve apo 2 mijë e 942 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 3 mijë e 324 votues apo 15.2% “, ka thënë Daka. /GazetaExpress/