KQZ po paralajmëron mundësinë që mos ta certifikojë ndonjë kandidat apo parti për zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhje paralajmëron se mund që në të ardhmen ndonjë kandidat apo parti politike të mos certifikohet për zgjedhjet e 6 tetorit.

Subjekti politik mund të mos certifikohet në rast se nuk ka bërë shlyerjen e gjobave.

“Në mesin e detyrimeve ligjore që subjekti politik duhet t’i përmbushë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje është edhe: shlyerja e gjobave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar konfirmim me shkrim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nëse subjektet politike që kanë aplikuar kanë paguar plotësisht gjobat”, ka thënë zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.

Ndërsa një kandidat mund të mos certifikohet nëse dokumentet që i ka kërkuar KQZ’ja, ai/ajo nuk i ka dorëzuar, e ndër to është edhe Formulari për Certifikim të Kandidatit.

“Subjektet politike të cilat kanë aplikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje kanë dorëzuar disa dokumente që janë kërkuar nga KQZ-ja, dhe në mesin e tyre është edhe Formulari për Certifikim të Kandidatit. Brenda këtij formulari është dhe një Deklaratë e cila nënshkruhet nga Kandidati, përmes së cilës vërteton se nuk është në asnjë post që do ta bënte të pamundur kandididimin e tij bazuar në Nenin 29”, thotë Elezi.

Ndërsa KQZ ka shkruar se çdo kandidat ose subjekt politik ka të drejtë ankese nëse nuk certifikohet.

“Subjekti politik apo kandidati i cili nuk certifikohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të ankimojë vendimin e KQZ-së në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, njofton KQZ.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 6 tetor të këtij viti. /GazetaExpress/