KQZ pret ankesat e mundshme para se të nis rinumërimin e votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesat e paraqitura në këtë institucion në rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja më 7 nëntor.

“Këtu kam parasysh dy vendimet që kanë të bëjnë me përjashtim nga rezultati të një pjesë të fletëvotimeve dhe për rinumërimin e 1 472 vendvotimeve”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Në këto vendime, ai ka thënë se ka këshillë juridike që lejon ankesën kundër këtyre vendimeve në Gjykatën Supreme.

“Prandaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i obliguar të respektojë këtë afat ligjor para se të procedojë më tutje. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë ashtu siç ka bërë deri më tani, pra në përputhje me vendimet që e obligojnë KQZ-në”, ka thënë ai. / Indeksonline