KQZ tregon kur dalin rezulltatet e Zgjedhjeve në Podujevë dhe Mitrovicën Veriore

Procesi i votimit në zgjedhjet komunale në Podujevë dhe në Mitrovicën e Veriut po vijon të zhvillohet pa ndonjë parregullsi.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka treguar në T7 se të drejtën për të votuar po e shfrytëzojnë edhe qytetarët që aktualisht janë të infektuar me COVID-19. Ai po ashtu ka treguar se rezultatet e vendvotimeve do të dihen qysh sonte, raporton Gazeta Express.

“Rezultati i vendvotimeve dihet qysh sonte, sepse numërimi i fletëvotimeve, pas përfundimit të votimit, edhe sipas ligjit, bëhet në një vendvotim”, ka deklaruar Elezi.

“Vetëm në Komunën e Podujevës, në bazë të listave zyrtare, dikund rreth 500 persona janë të infektuar me COVID-19. Prej tyre, pothuajse gjysma e tyre ka shprehur vullnetin për të votuar përmes ekipit lëvizës i cili gjatë ditës së sotme shkon në adresat e tyre. Ndërkaq në Komunën e Mitrovicës së Veriut kanë qenë 21 qytetarë apo votues të cilët janë në lista zyrtare si persona të infektuar me COVID-19 dhe që janë në karantinë shtëpiake dhe nga kontaktet që i kemi pasur, dikund gjysma e tyre kanë shprehur vullnetin që sot ta pranojnë ekipin mobil të KQZ-së në mënyrë që të votojnë”, ka thënë ai.

Në ekipin prej katër anëtarësh që shkojnë te të infektuarit me COVID-19 për t’ua mundësuar të drejtën e votimit, Elezi ka treguar se po merr pjesë edhe një përfaqësues i institucioneve shëndetësore.

“Njëri është përfaqësues nga institucionet shëndetësore gjatë kohës kur vizitojnë këta persona të prekur me COVID-19… Nëse votuesi nuk ka pajisje mbrojtëse, t’u ofrohen”, ka thënë Elezi.

Paraprakisht, ai ka deklaruar se nuk ka ndonjë problem as me materialin zgjedhor të nevojshëm.

“Prej kur ka filluar votimi deri në këto momente procesi zgjedhor po vijon normalisht, nuk ka ndonjë pengesë… Sa i përket edhe materialit zgjedhor që është i nevojshëm, nuk ka pasë mungesë”, ka thënë ai.

Ndërsa KQZ-ja, në një konferencë për media ka njoftuar se dalja për të votuar, deri në orën 11:00 ka qenë më e vogël krahasuar me periudhën e njëjtë kohore të zgjedhjeve lokale të vitit 2017. /GazetaExpress/