Krahu i djathtë i Erdoganit themelon parti të re

Agjencia e lajmeve Reuters raporton se ish Presidenti turk Abdullah Gul dhe ish Ministri i Ekonomisë, Ali Babacan, në vjeshtë do të themelojnë një parti të re.

Reuters njofton se programi i partisë së re e cila do të themelohet nga Abullah Gul dhe Babacan do të bazohet në programin të cilin fillimisht e ka pasur AKP, të cilën tash e drejton Presidenti aktual i Turqisë, Erdogan.

Analistët vlerësojnë se partia e re e cila do të themelohet, pritet të themelojë edhe grup parlamentar brenda Kuvendit të Turqisë të përbërë prej së paku 20 deputetëve aktualë të AKP-së.

Abdullah Gul kishte shërbyer si President dhe si Kryeministër i Turqisë dhe është cilësuar si krahu i djathtë i Presidentit aktual Erdogan. Ali Babacan ka shërbyer si Zëvendësrkyeministër dhe Ministër i Ekonomisë dhe ka qenë arkitekti kryesor i rritjes ekonomike të Turqisë në vitet e para të qeverisjes së AKP-së.

Javë më parë, edhe ish bashkëpunëtori i ngushtë i Erdoganit, ish Kryeministri Ahmet Davutoglu, kishte paralajmëruar themelimin e një partie të re.

Lëvizjet e ish bashkëpunëtorëve të ngushtë të Presidentit aktual të Turqisë, Erdogan, konsiderohen si goditje të rënda për karrierën politike të tij, posaqërisht tash pas humbjes së AKP-së në metropolin turk, Stamboll.