Kryebashkiaku i Londrës shpërthen në akuza: Trump është si fashistët e shekullit XX!

Kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, ka drejtuar akuza të rënda ndaj presidentit amerikan, Donald Trump. Ai e ka krahasuar numrin një të SHBA-së me fashistët e shekullit të kaluar.

Në një shkrim autorial botuar në britaniken The Observer, Khan ka shkruar se Trump është rasti më skandaloz i kërcënimi global që është në rritje duke bërë ndërlidhje të qëndrimeve të presidentit amerikan me të djathtën ekstreme që është në rritje, kryesisht në vendet evropiane.

“Presidenti Donald Trump është vetëm njëri prej shembujve më të jashtëzakonshëm i një kërcënimi global në rritje. E djathta ekstreme është në rritje nëpër botë duke kërcënuar të drejtat, liritë dhe vlerat që i kanë definuar shoqëritë tona si liberale dhe demokratike për më tepër se 70 vite”, ka shkruar Khan.

“Viktor Orbán në Hungari, Matteo Salvini në Itali, Marine Le Pen në Francë dhe Nigel Farage këtu në Mbretërinë e Bashkuara po i shfrytëzojnë të njëjta metoda përçarëse të fashistëve të shekullit XX, për të fituar mbështetje, por me metoda të reja dhe të rrezikshme. Ata po fitojnë terren, pushtet dhe ndikim në vendet e tyre që vetëm para disa viteve do të kishte qenë e papërfytyrueshme”, ka shpërthyer në akuza kreu i Bashkisë së Londrës.

Ky i fundit ka shprehur edhe dyshimet mbrapa preferencës së Trumpit që Boris Johnson të bëhet lider i ardhshëm i Partisë Konservatore britanike.

“Ai (Trump) është tani duke ndërhyrë paturpësisht në garën e Partisë Konservatore me përkrahjen që ka treguar ndaj Boris Johnson për shkak se beson që do të fitonte një aleat për agjendën e tij përçarëse”, ka shkruar Sadiq Khan.

Marrëdhëniet ndërmjet presidentit të SHBA-së dhe kryetarit të Bashkisë së Londrës ka disa vite që janë të tensionuara për shkak të mospajtimeve në cështje të caktuara.

Nga ana tjetër, Trump së shpejti pritet të nis një vizitë tre-ditore në Londër, ndërsa janë paralajmëruar protesta kundër tij, në kryeqytetin anglez, gjatë kësaj vizite.