Kryeministri Haradinaj në takim me deputetë gjermanë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot gjatë ditës është takuar me deputetë gjerman.

Kryeministri Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ka realizuar takim me anëtarët e Grupit Parlamentar për Europën Juglindore të Bundestagut, Josip Juratovic, Nezahat Baradari nga SPD dhe Friedrich Ostendorff Die Grünen.

“Me deputetët gjermanë biseduam për zhvillimet e gjithmbarshme në vend dhe rajon, për bashkëpunimin e ngushtë Kosovë-Gjermani dhe procesin e dialogut me Serbinë. Kam shprehur qendrimin se Kosova është pro dialogut për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues. Ritheksova se qytetarët e Kosovës, janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk gëzojnë lëvizje të lirë për shkak të regjimit të vizave dhe me të drejtë presin që Gjermania t’i japë këtij procesi epilog pozitiv”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Haradinaj i ka njoftuar deputetët gjermanë për të arriturat në vend, përkushtimin e Qeverisë për zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, Agjendën e Reformave Europiane dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.

“Kisha kënaqësinë të takohem me deputetët gjermanë me të cilët bisedova për zhvillimet e gjithmbarshme në vend, për bashkëpunimin bilateral Kosovë-Gjermani, procesin e dialogut, i cili duhet të përfundojë me arritjen e një marrëveshjeje gjithpërfshirëse, ligjërisht obligative, që nënkupton njohjen reciproke dhe çështje të tjera me rëndësi jetike për vendin. Jemi me fat që kemi një shtet mik siç është Gjermania, roli i së cilës është i rëndësishëm në të gjitha zhvillimet politike dhe ekonomike të vendit tonë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj, falënderoi shtetin gjerman, për mbështetjen e fuqishme për procesin e liberalizimit të vizave, duke thënë se qytetarët e Kosovës, rinia jonë, janë të vetmit në rajon që kanë mbetur të izoluar dhe me të drejtë presin që Gjermania ta përmbyllë këtë proces, pasi që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e BE-së.

“Jemi të vetëdijshëm se Qeveria Gjermane ka rol të madh në këtë proces dhe shpresojmë në vullnetin politik të shteteve të BE-së për ta finalizuar liberalizimin e vizave”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj, konfirmoi gatishmërinë për bashkëpunim në të gjitha fushat, me theks në zhvillimin ekonomik, duke përmendur Parkun Inovativ Gjermano-Kosovar në Prizren, i cili është dëshmi se Kosova angazhohet në krijimin e kushteve sa më të mira për investime.

Deputetët gjermanë falënderuan kryeministrin Haradinaj për vizitën që po i bën Berlinit, duke konfirmuar përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë për proceset politike, zhvillimore dhe integruese në Kosovë, njofton Zyra e Kryeministrit.