Kryeministri Hoti në Bruksel: Kosova ka maturinë institucionale për të kaluar çdo situatë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka nisur vizitën e tij të parë në Bruksel. Në një intervistë për Euronews Albania, Hoti ka folur për takimet e tij me zyrtarët më të lartë të BE-së.

“Në Bruksel jam me disa anëtarë të qeverisë, zv.Kryeminisrin dhe Ministren e Jashtme, në takime me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, për të treguar përkushtimi tonë si qeveri e re, për axhendën e integrimit evropian që ka Kosova.

“Sigurisht çështja kryesore që shtrova në takimet që kemi pasur në mëngjes, dhe që do të vazhdoj në të gjitha takimet e tjera gjatë ditës, është çështja e liberalizimit të vizave.

“Ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret, edhe si qeveri kemi një fokus të fuqishëm në rend dhe ligj, sigurimin e transparencës në qeverisje dhe zbatimin e një qeverisje të mirë.

“Besoj se ky është një proces dhe një qasje që duhet të respektohet edhe nga nstitucionet e BE-së që qytetarët e Kosovës sa më parë, sikurse qytetarët e rajonit, të lëzivin lirshëm pa viza.

“Gjatë kësaj periudhe kemi pranuar një mbështetje të fuqishme nga Bashkimi Evropian edhe për luftimin e pandemisë Covid-19.

“Unë prezantova para tyre edhe qasjen që kemi për të ndërtuar strukturat në institucionet e shëndetësisë, për luftimin e kësaj pandemie, edhe planin që kemi për rimëkëmbjen ekonomike, që është pjesë e buxhetit tani, një fond i veçantë për rimëkëmbjen ekonomike që kemi themeluar dhe që është në linjë me politikat që ka Komisioni dhe Bashkimi Evropian në përgjithësi, për ngritjen e fondeve për të nxjerrë vendet nga kriza për shkak të pandemisë”, tha kryeministri Hoti.

I pyetur se çfarë e shtyu të anulojë pjesëmarrjen në takimin e Uashingtonit, kryeministri tha se ka propozuar që të shtyhet.

“Unë, në konsultim me Ambasadorin Grenell, kam propozu që ta shtyjmë këtë takim për një ditë tjetër për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur ditën e djeshme”, tha ai.

Për sa i përket situatës së re që është krijuar në lidhje me dialogun, me akuzat e ngritura ndaj presidentit Hashim Thaci, Hoti thotë se Kosova ka arritur një pjekuri institucionale.

“Cështjet që lidhen me drejtësinë, siç ishte edhe vendimi i djeshëm, unë besoj që as nuk duhet të komentohen, por duhet të respektohen plotësisht. Unë besoj se si Kosovë kemi tanimë një maturi të nevojshme institucionale për t’u marrë dhe për të tejkaluar çfarëdo situate me të cilën përballemi”, tha ai.

Kryeministri i kosovës është i bindur që dialogu do të vazhdojë.

“Dialogu nuk ka alternativë dhe ajo që po them është që ne tani e kemi maturitetin e nevojshëm institucional si shtet për të tejkaluar çdo situatë me të cilën përballemi”, tha ai për korrespondentin e Euronews Albania në Bruksel, Ernest Bunguri. /EN/