Kryeministri në dorëheqje: Piskamat e atyre që e ndanë Mitrovicën e rrëzuan Qeverinë, nuk janë për shtet por për pushtet

Përmes një videoje, kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti ka bërë të ditur se Ministria e Shëndetësisë e ka shpallur karantinën edhe në dy komuna tjera: në komunën veriore të Mitrovicës dhe në komunën  e Zveçanit,mirëpo nuk kanë dashur ta bëjnë këtë gjë më tupan, që të mos e thellojnë krizën shëndetësore.

Ai sqaroi se veprimet e Serbisë kundër Kosovës, po i raportojnë te KFOR-i dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë.

Kuri tha se konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit, duan politikanë e zyrtarë të Beogradit dhe të Kosovës, shkruan Indeksonline.

“Atyre që kontribuan për ndarjen e Mitrovicës, dhe e lanë të pazhvilluar e në mjerim për mbi dy dekada mos ju besoni tash kur kërkojnë sovranitet e integritet nga qeveria të cilën e rrëzuan pa i bërë as dy muaj në detyrë. Piskamat e tyre patriotike nuk janë për shtet, por për pushtet. Brengosjet e tyre për veriun i kanë instrument për vetvete e jo konsideratë për juve”, tha Kurti.

“Së fundmi është sërish Ministria e Shëndetësisë ajo që e ka shpallur karantinën edhe në dy komuna tjera: në komunën veriore të Mitrovicës dhe në komunën  e Zveçanit, mirëpo nuk kemi dashur ta bëjmë këtë gjë me tupan në mënyrë që krizën shëndetësore të mos e thellojmë edhe me një tjetër.

Ka pasur një dasme në Zveçan para dy javësh e cila e ka shkaktuar shpërndarjen e virusit Covid-19 atje.

Ne e dimë që Serbia ka pretendime ndaj shtetit tonë të pavarur të cilin nuk e njeh.

Ne e dimë që ajo ndërmerr edhe veprime kundër institucioneve tona, posacërisht në veri.

Të gjitha këto ne po i raportojmë te KFOR dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë. Ne veprojmë e sillemi me kujdes, sidomos në këtë kohë.

Ka politikanë e zyrtarë të lartë në Beograd që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit.

Mirëpo ka politikanë e zyrtarë të lartë edhe në Prishtinë që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit.

Ata duan të provokojnë tensione sepse ata duan incidente.

Projekti i tyre i shkembimit territorial sikur të realizohej do të shkaktonte konflikte e gjakderdhje të reja. Ai projekt dështoi. Tash duan konflike e gjakderdhje në terren për t’u rikthyer te shkëmbimi territorial, përkatësisht të ndarja e Kosovës.

Krejt njëjtë ështe edhe ajo intenca për ta shpallur gjendje të jashtëzakonshme me cdo kusht e cmim, pasi që nuk arritën ta shpallin për ta bërë, duan ta bëjnë që ta shpallin.

Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, serbëve e pakicave tjera në Kosovë, e posacërisht në Mitrovicë, që të kenë kujdes, ta ruajnë gjakftohësinë e të mos bien në kurthin e atyre të cilët për t’i zbrazur shampanjat e tyre, kanë nevojë të derdhet gjaku jonë.

Mos bini në provokime e insinuate e intriga të ndryshme. Ato janë kurthi në të cilin do të bien vetë ata Brenda.

Në vecanti i bëj thirrje kryetarit të komunës jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe kryetarit të komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq, që të mos e acarojnë gjendjen.

Atyre që kontribuan për ndarjen e Mitrovicës, dhe e lanë të pazhvilluar e në mjerim për mbi dy dekada mos ju besoni tash kur kërkojnë sovranitet e integritet nga qeveria të cilën e rrëzuan pa i bërë as dy muaj në detyrë.

Piskamat e tyre patriotike nuk janë përshtet, por për pushtet.

Brengosjet e tyre për veriun i kanë instrument për vetvete e jo konsideratë për juve.

Edhe deklarimet e Presidentit, i cili po sillet si njëri nga liderët opozitarë, merrni me rezervë dhe me qetësi.

E dini atë thënien e urtë të popullit tonë. “Se kur dhelpres po i digjej bishti, ajo thoshte se po digjet e gjithë bota. Dhelpra po e tund bishtin e djegur që të na e djeg gjithë vendin tonë”, tha Kurti./Indeksonline/