Kryeministrja britanike shpalli largimin më 7 qershor

Kryeministrja britanike, Theresa May, shpalli të premten se do të largohet nga posti i kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar dhe nga udhëheqja e konservatorëve më 7 qershor.

Kryeministrja britanike u përlot në përfundim të paraqitjes së saj me të cilën shpalli se u pajtua me thirrjet e Partisë Konservatore për t’i hapur rrugë një udhëheqësi të ri që do të provojë të tejkalojë bllokadën e krijuar rreth procesit të largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian.

“Tani është e qartë për mua se është në interesin më të mirë të vendit që një kryeministër i ri të udhëheqë këtë përpjekje. Kështu që sot po e shpallë se do të jap dorëheqjen si udhëheqëse e Partisë Konservatore të premten më 7 qershor”, tha zonja May.

Ajo shprehu keqardhjen që parlamenti britanik hodhi poshtë tri herë me radhë marrëveshjen e negociuar prej saj për largimin nga Bashkimi Evropian.

Afati fillestar ishte më 29 mars, por dështimi i votimit të marrëveshjes bëri që kryeministrja May të negociojë një afat të ri me Bashkimin Evropian i cili u pajtua të shtyjë afatin e Brexitit deri më 31 tetor.

Zonja May do të vazhdojë punën si kryeministre në detyrë deri në zgjedhjen e udhëheqësit të ri, një proces që mund të marrë disa javë.

Udhëheqësi i ri i Partisë Konservatore do të bëhet kryeministër dhe vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje të reja.

Kandidati më i përfolur si pasues i saj është Boris Johnson, ish ministri i Jashtëm, që ishte një nga mbështetësit kryesor të referendumit për Brexitin në qershor të vitit 2016. /Zëri i Amerikës/