Kryesocialisti rumun përfundon në burg, shpallet fajtor për korrupsion

Gjykata Supreme në Rumani ka shpallur fajtor kryetarin e Partisë Social-Demokratike (PSD) të Rumanisë, Liviu Dragnea, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.

Ai është dënuar me tri vjet e gjysmë burgim nën akuzën se ka shfrytëzuar ndikimin e tij për shpikje të vendeve të punës për të punësuar dy femra të cilat në të njëjtën kohë punonin edhe në partinë e tij politike, PSD.

Aktgjykimi i Gjykatës Supreme është përfundimtar meqë ka hedhur poshtë ankesën e bërë nga Dragnea, raporton Euractiv.

Udhëheqësi i PSD në Rumani konsiderohet si politikani më i fuqishëm në skenën politike rumune. Megjithatë, subjekti i tij politik ka treguar rezultate të dobëta në zgjedhjet e fundit të Parlamentit Evropian, ku ka fituar 23 përqind të votave, shumë më pak ne zgjedhjet e vitit 2014 kur kishte fituar 37.6 përqind në Rumani. Ajo u mposht nga Partia Kombëtare Liberale dhe Aleanca USR-PLUS që fituan 48 përqind të votave.

Nga ana tjetër, mediat e huaja kanë raportuar se Partia e Socialistëve Evropianë ka ngrirë marrëdhëniet me PSD-në rumune për shkak të akuzave lidhur me sundimin e ligjit.