Kryhen pagesat për punëtorët e Trepçës, Ministri tregon kur do t’i marrin pagat

Mbi 300 minatorë të Minierës së Artanës dhe afro 400 të tjerë nga Miniera e Trepçës kanë filluar dje grevën, si pasojë e mos-përmbushjes së kushteve elementare në drejtim të tyre.
Minatorët kanë filluar grevën për shkak të mos-alokimit të pagave.

Të njëjtit nuk janë paguar madje as për muajin janar.Lidhur me këtë situatë të krijuar në kuadër të minatorëve në Kosovë, lajmi.net ka kontaktuar ushtruesin e detyrës së Ministritë të Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj.

Nitaj ka konfirmuar se sot punëtorët e Trepçës gjatë ditës pritet t’i marrin pagat e tyre.Muharrem Nitaj deklaroi se më datë 16 të muajit të kaluar ka nënshkruar një marrëveshje për ndihmë financiare me Trepçën dhe për subvencione në investime kapitale, në shumë prej 3 milionë eurosh.

“Procedurat e pagesës së mjeteve marrin pak kohë dhe sapo më kanë njoftuar se tashmë janë kryer pagesat dhe punëtorët e Trepçës sot gjatë ditës pritet ti marrin pagat e tyre”, deklaroi ai.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme, përfaqësuesi i minatorëve të Artanës, Blerim Ymeri ka deklaruar për lajmi.net se të njëjtë nuk janë paguar as për muajin janar dhe se kërkesat për pagë i kanë parashtruar shumë më herët tek menaxhmenti, por që të njëjtit nuk janë marrë fare me kërkesat e tyre.Madje Ymeri theksoi se si pasojë e gjithë kësaj situate të krijuar nuk u ka mbetur zgjidhje tjetër, përpos grevës që startoi dje.

Duhet përkujtuar që Qeveria e Kosovës kishte ndarë një shumë prej 1.1 milionë euro për ndërmarrjen publike ‘Trepça’ në mënyrë që të arrihet kalimi i situatës së vështirë nëpër të cilën po kalon.Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti pas takimit që ka pasur me bordin e Trepçës në muajin nëntor, pati njoftuar për ndarjen e 1.1 milionë eurove për këtë ndërmarrje por që nga minatorët dje deklaruan se s’është bërë asgjë me këto para.

Madje u tha se nuk kanë marrë asnjë lloj pagese të ndarë nga ky milionësh.Situata e vështirë në ndërmarrjen publike ‘Trepça’ vazhdon të jetë e tillë ndër vite, anipse minatorët bëjnë një nga punët më të vështira dhe të rrezikshme në vend.