Kthimi ambasadorëve politikë, i propozuar nga MPJ-ja, pritet të zgjasë me muaj

Rreth tre muaj pritet të kenë afat për t’u kthyer në Kosovë ambasadorët politikë, që u propozuan të tërhiqeshin nga misionet diplomatike.

Ministria e Jashtme e udhëhequr nga Glauk Konjufca ka kërkuar kthimin e 6 ambasadorëve politikë dhe një konsulli të përgjithshëm, në mesin e tyre edhe kthimin e ambasadores në SHBA, Vlora Çitaku.

Pavarësisht se MPJ-ja ka njoftuar Zyrën e presidentit për vendimet për largimin e ambasadorëve, presidenti Hashim Thaçi ende nuk i ka shqyrtuar ato.

Zyra e presidentit nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e adresuara.

Në rast se nuk miratohet ky vendim, MPJ-ja ka paralajmëruar përballje në Kushtetuese me presidentin.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se presidenti Thaçi do të bënte shkelje ligjore nëse nuk miraton propozimin e MPJ-së për tërheqjen e këtyre ambasadorëve.

Ndërsa, Instituti i Prishtinës për Studime Politike kërkon që të mos vonohen kthimi i ambasadorëve dhe zëvendësimi me emra të rinj.

Më 3 mars, Ministria e Jashtme ka njoftuar se janë propozuar për t’u larguar nga misionet diplomatike ambasadorët politikë të cilëve iu ka përfunduar mandati 4-vjeçar, i përcaktuar me ligje e akte të tjera nënligjore të kësaj ministrie. / Koha.net