Kthimi i humës, produkti higjienik për pastrimin e flokëve

Në kohën e gjyshërve, pastërtia e trupit dhe flokëve ishte mbajtur me humë.

Kur produktet higjienike nuk kanë qenë ende në treg, për pastrimin e flokëve është përdorur një material i nxjerrë nga toka, që është quajtur humë, në gjuhën shkencore njihet si argjilë e gjelbër.

Nga i njëjti material rrjedh edhe emri i kompanisë “HUUmë” që merret me prodhimin e produkteve natyrale të bukurisë të cilën e drejton Arbërore Riza tash e një vit.

Në lokalin e pajisur me ngjyra të ndryshme, e me aromë mbizotëruese e cila fillonte shpërndahej me hapjen e derës kryesore, sapunët vendoseshin në dollapë të drurit afër njëri-tjetrit.

Gjithçka kishte filluar në një kuzhinë shtëpi për të prezantuar punën e saj para të afërmve e duke vazhduar në prodhimin e sapunëve për flokë, sapun për fytyrë dhe për trup, balsame buzësh, deodorant, maska për fytyrë e gjëra të tjera higjienike.

Kjo kompani udhëhiqet nga një grua, e cila ka punësuar dhe pesë gra të tjera.

Arbërore Riza

“Me plot gojë dhe plot mburrje e them që të gjitha jemi gra”, ka thënë pronarja, Arbërore Riza.

Në lokalin e rrethuar me produktet te ndryshme natyrale, ajo tregon se sa ishte e vështirë të krijohej diçka e cila nuk ishte me parë në Kosovë dhe për mbështetjen e të tjerëve në punën e saj.

E filluar në korrik të vitit 2018, ajo shpreson që së shpejti produktet e saj me logon “Made in Kosovo” të depërtojnë në tregun botëror.

“Mjaft kemi importu, të eksportojmë edhe ne”, ka shtuar Arbërore Riza, e cila ka shpërndarë produktet në 100 pika të ndryshme të vendit duke përfshirë barnatore dhe dyqane bio.

“60% të asaj që e vendosim në fytyrë organizmi i njeriut brenda 20 sekondave e absorbon”, ka shpjeguar Riza.

“Është e rëndësishme që në lëkurë të mos vendoset diçka e cila nuk është natyrale, sikurse kujdesemi për ato që i hamë”, shton ajo.

Arbërore Riza na tregon se si duhet të ruhet sapuni natyral: përdorini një pjatë sapuni që ofron kullim që sapuni të thahet midis përdorimeve, të ruhet në ambient të thatë, larg rrezeve të diellit, nëse ruajm me shumë se një sapun, aromat e njejta të ruhen në një vend.

Pothuajse të gjitha produktet janë të mbështjella me paketim të letrës, sepse është më ekologjik.

“Gjithçka po na kthehet boomerang, një ambient i ndotur është një shëndet i keq”, ka shtuar Riza.