Kur do të fillojë seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga PDK-ja

Kuvendi i Kosovës të martën do të mbajë seancë të jashtëzakonshme, të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, lidhur me pakon për rimëkëmbjen e ekonomisë si pasojë e pandemisë COVID-19.

Sipas njoftimit të Drejtorisë për Informim, seanca e  Kuvendi të Kosovës do të mbahet në orën 11:00, kurse në rend të ditës do të jetë  Propozimi dhe miratimi i masave konkrete ekonomike e financiare që duhet t’i ndërmerr Republika e Kosovës për të tejkaluar sfidat e rimëkëmbjes ekonomike në adresimin e pasojave të pandemisë së Corona Virusit “Covid 19”, me qëllim të përballimit sa më të suksesshëm të pasojave e shkaktuara (aktuale dhe të ardhshme), në drejtim të parandalimit të krizës eventuale ekonomike, zvogëlimit të humbjeve ekonomike dhe ofrimin e mbështetjes së domosdoshme veçanërisht për sektorin privat në Kosovë.

Gjithashtu bëhet e ditur se për shkak që e gjithë hapësira e sallës plenare të Kuvendit, përfshirë ballkonin, vazhdon të mbetet në dispozicion të deputetëve, prandaj prezenca mediave në seancën e nesërme do të jetë e pamundur.

Kuvendi do të ofrojë linkun e transmetimit të drejtpërdrejtë të kësaj seance, nëpërmjet web faqes së Kuvendit, kanalit zyrtar të Kuvendit në YouTube, si dhe RTK-së, si medium publik.