Sot pritet të mbahet seanca e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për ta shqyrtuar ankesën e Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, mbi masat që Qeveria e Kosovës ndërmori për kufizimin e qarkullimit të njerëzve dhe automjeteve në vend pas shpërthimit të pandemisë së coronavirusit.
Seanca do të realizohet në distancë, përmes komunikimit virtual dhe pritet të fillojë pas orës 13:00.
Më 23 mars, shefi i Qeverisë së Kosovës, tani në detyrë, Albin Kurti, njoftoi se ka marrë një varg masash për ndalimin e qarkullimit të njerëzve dhe automjeteve në tërë territorin e Kosovës.
Fillimisht, masat parashiheshin të ndalonin qarkullimin në dy periudha të ndryshe. Nga ora 10:00 paradite deri në ora 16:00 pasdite dhe nga ora 20:00 në mbrëmje deri në orën 06:00 në mëngjes.
E menjëherë pas këtij vendimi të ekzekutivit kosovar, kishte reaguar i pari i vendit, Hashim Thaçi.
Ai e kishte quajtur këtë vendim antikushtetues andaj më 24 mars iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar vendimin e qeverisë.
Ndërkohë, me propozim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, orari i kufizimit të qarkullimit kishte ndryshuar. Tani, qarkullimi në vend lejohet nga ora 06:00 e mëngjesit deri në ora 17:00 pasdite ndërsa ndalohet nga ora 17:00 deri në ora 06:00 në mëngjes.