Kurti do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit pas takimit me QUINT-in

Kryeministri Albin Kurti pas takimit me ambasadorët e QUINT-it në presidencë u deklarua shkurt para mediave ku njoftoi se do ta thërrasë një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për nesër në ora 14:00 raporton Gazeta Epxress.

“Porsa patëm një takim me ambasadorët e QUINT-it dhe atë të BE-së. Në takim ishim të pranishëm presidentja Osmani, kryekuvendari Konjufca dhe unë si kryeministër dhe dy zëvendëskryeministrat Bislimi dhe Gërvalla.Të tri institucionet do të dalim me një komunikatë të përbashkët për shtyp dhe pas kësaj do të mund të ju përgjigjemi në pyetjet e juaja.Ndërkaq unë po shkoj në kryeministri për të përgatitur thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës për nesër në ora 14:00”, tha ai.

Para pak çastesh ka përfunduar pas më shumë se një ore takimi në mes të ambasadorëve të shteteve të QUINT-it, kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani në ndërtesën e presidencës së Republikës së Kosovës.

Një takim i tillë ka ardhur pas një komunikate të përbashkët të QUINT-it në të cilën kanë kërkuar që Kosova të lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë bazuar në praktikat e votimit të mëhershëm.

Qeveria e Kosovës ka kundërshtuar organizimin e referendumit të Serbisë, derisa kanë theksuar se serbët me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë me postë apo edhe në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.