Kurti: Drejtësia e mohuar për Reçakun është krim i vazhdueshëm që i bëhet Kosovës

Familjarë e qytetarë sot po bëjnë homazhe e po nderojnë martirët që ranë 21 vite më parë në Masakrën e Reçakut.

Në 21 vjetorin e Masakrës së Reçakut e cila konsiderohet si masakra më e dhimbshme e njerëzimit në historinë e Kosovës kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti bëri homazhe tek varrezat e dëshmorëve me c’rast tha se është obligim i institucioneve vendore që të gjithë ata që urdhëruan dhe kryen këtë masakër të dënohen.

Derisa tha se Masakra e Reçakut ndërgjegjësoi botën demokratike dhe solli intervenimin e NATO-së, Kurti tha se drejtësia e mohuar paraqet krim të vazhdueshëm ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, njofton KosovaPress përcjellë Klan Kosova.

“Lajmi për Masakrën e Reçakut e tronditi dhe tmerroi Kosovën por e ndërgjegjësoi dhe alarmoi botën demokratike dhe diplomacinë ndërkombëtare. Masakra e Reçakut ishte vendimtare që NATO ta bombardonte Jugosllavinë e Millosheviqit….21 vite më vonë nuk ka drejtësi për viktimat dhe familjet dhe kjo drejtësi e mohuar paraqet krim të vazhdueshëm ndaj njerëzve tanë, popullit tanë, ndaj shtetit tonë, është obligim i institucioneve vendore dhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë që të sjellim drejtësi, të shtojmë trysni mbi Serbinë ashtu që të gjithë kriminelët që ekzekutuan dhe ata që urdhëruan masakrën e Reçakut të nxirren para proceseve gjyqësore dhe të dënohen”, tha Kurti.

Më 15 Janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

Pak kohë pas kryerjes së këtij akti barbarë nga forcat paramilitare serbe, fuqitë e mëdha ndërkombëtare vendosën për intervenimin e NATO-s në Kosovë.