Kurti e Osmani shkelin Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe deputetja Vjosa Osmani, kanë shkelur sot Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, të fuqizuar në gusht të vitit të kaluar.

Derisa ende nuk ka asnjë paralajmërim për ashpërsimin e masave anti-COVID pavarësisht prej rritjes së numrit të rasteve të infektimit, kryeministri Kurti dhe deputetja Osmani kanë shkelur pikën 5, nenin 25 të Ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.

Sipas Ligjit, bartja e maskës është obligative dhe se personi që nuk e respekton këtë masë, dënohet me gjobë.

“Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e maskës, dënohet me gjobë prej tridhjetëepesë (35) euro”, thuhet shprehimisht në pikën 5, nenin 25 të Ligjit.

Ata, po ashtu kanë shpërfillur rekomandimet për parandalimin e përhapjes së virusit.

Të enjten, dy liderët politikë janë shfaqur në publik pa maska, një nga pikat e rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Moszbatimi i rekomandimit të IKShPK-së nga shefi i ekzekutivit dhe deputetja Osmani dëshmohet në disa fotografi të publikuara sot në medie.

Fotografitë tregojnë kryeministrin dhe kandidaten për presidente, të shoqëruar me familjarët e tyre teksa kalojnë kohë në parkun e Gërmisë, në periferi të Prishtinës.

Kurti është parë i shoqëruar me bashkëshorten e tij, Rita Knudsen dhe vajzën, ndërsa Osmani ka qenë i shoqëruar me bashkëshortin e saj Prindonin dhe dy vajzat.

Një ditë më parë, të mërkurën, IKShPK-ja njoftoi për 923 raste të reja me COVID-19 brenda vendit në 24 orët paraprake, si dhe 14 të vdekur si pasojë e infektimit me epideminë.

As rritja e numrit të rasteve me COVID-19 në dy javët e fundit, nuk e ka shtyrë Qeverinë e Kosovës që të miratojë masa të reja me qëllim parandalimin e pandemisë. /Insajderi.org