Kurti i dërgon letër Thaçit edhe pas takimit me të

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka dërguar edhe një letër presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit që sot zhvilluan bashkërisht.

Në këtë letër Kurti ka falënderuar fillimisht presidentin për takimin e sotëm.

“Dëshiroj t’ju falënderoj për qëndrimin tuaj të ritheksuar disa herë gjatë takimit, në lidhje me gatishmërinë për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe praktikës kushtetuese. Në lidhje me njoftimin tuaj se jeni duke kryer “konsultime” me liderët e partive tjera politike nuk kam as kompetencën, as dëshirën që t’ju udhëzoj se si e organizoni agjendën tuaj ditore. Mirëpo, dëshiroj të potencoj qëndrimin tim se konsultime të tilla nuk kanë bazë në asnjë dispozitë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Kurtit.

Kurti tutje në letër ka ritheksuar gatishmërinë e tij që të rrij në kontakt me presidentin për luftimin e pandemisë së coronavirusit.

Kurse sa i përket çështjeve tjera, Kurti ka potencuar se komunikimi ndërinstitucional në mes Presidencës dhe Kryeministrit të vazhdojë në formën e shkruar.