Kurti nuk tregon se a do të kandidojë, thotë se zgjedhjet janë referendum

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar përmes Facebook’ut pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, raporton Gazeta Express.

Kurti ka thënë se pas shtatë muajsh është vërtetuar se zgjedhja e qeverisë Hoti ka qenë e paligjshme dhe jokushtetuese.

Ai thotë se zgjedhjet e parakohshme janë të vonuara e referendum.

“Pas shtatë muajve na u dëshmua ajo që dihej nga fillimi. Zgjedhja e qeverisë koti ka qenë kot. Zgjedhje e paligjshme, jokushtetuese.

Kemi humbur shumë vite, jo vetëm muaj. Këto zgjedhje nuk janë të parakohshme por të vonuara. Mirëpo, këto zgjedhje janë referendum. Me 14 shkurt politika e keqe ndodhet para gjyqit popullor”, ka thënë ai.

I njejti shton se me 14 shkurt, festa e zemrës do të jetë kremte e demokracisë.

“Punë e arsim, drejtësi e shëndetësi. Kaq duan qytetarët. Qeveria jonë e re do të jetë shërbim i mirë. Sepse qytetari është mbreti i republikës.  Me 14 shkurt, festën e zemrës e bëjmë edhe kremte të demokracisë”, ka thënë ai./GazetaExpress/