Kurti: Rashiq i zhgënjyer me procesin zgjedhor në vendbanimet me shumicë serbe

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka takuar sot përfaqësuesin e koalicionit “Sloboda”, Nenad Rashiq.

Kurti ka theksuar se Rashiq ishte i zhgënjyer me procesin zgjedhor në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë, njofton Klan Kosova.

“Nenad Rashiq nuk e ka asnjë aferë apo skandal si ministër. Ai është një ndër ministrat më të mirë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Bisedova me të për procesin zgjedhor në vendbanimet me shumicë serbe dhe ky ishte shumë i zhgënjyer”.

“Unë isha i interesuar që të marr vesh prej tij për procesin zgjedhor se si ka shkuar në vendbanimet me shumicë serbe. Ndërkombëtaret raportuan se ka pasur parregullsi. Qeveria e kaluar nuk i ka trajtuar fare këto parregullsi dhe ne duhet t’i trajtojmë”.

“Ne kemi obligim kushtetues që t’i integrojmë komunitetet. Jo vetëm serbe, por edhe të tjerat. Do të fillojmë dialog me të gjithë. Për këtë gjë fare nuk kemi dallime me LDK-në. Për mua ishte e vlefshme t’i kuptoj ndikimet e dëmshme që bëhen mbi qytetarët serbë të Kosovës”.

“Unë nuk jam në gjendje dhe i interesuar që të flas për ministri të veçanta dhe për emra specifik. Harmonizmi programor do të bëhet në fund”.

“Shkeljet e vitit 2016 janë përsëritur edhe kësaj here. Ajo që kam dëgjuar nga Rashiq është se më shumë ka demokraci në Kinë sesa në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë”.