Kurti zotohet se do ta ketë prioritet luftimin e korrupsionit të lartë institucional

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka shprehur bindjen e tij se shumë shpejtë do të formohen institucionet e reja.

Fituesi i zgjedhjeve të fundit në Kosovë, pretendent për kryeministër të vendit, ka ritheksuar se prioritet i qeverisë së re do të jetë shtetndërtimi demokratik me sundim të ligjit ku luftohet korrupsioni i lartë institucional dhe ku çështje primare është si krijimi i vendeve të reja të punës ashtu edhe zbutja e pabarazive shoqërore përmes politikave sociale.

Sipas një komunikate për medie nga Lëvizja vetëvendosje, Kurti ka shtuar se rëndësi e veçantë do t’i kushtohet barazisë gjinore nëpërmjet edukimit, punësimit dhe ofrimit të mundësive të barabarta për gratë.

Kreu i Vetëvendosjes i ka bërë këto komente gjatë pritjes që së bashku me anëtaren e Kryesisë së Lëvizjes, Arbërie Nagavci i bëri koordinatores për Zhvillim nga zyra e OKB-së në Prishtinë, Ulrika Richardson.

Richardson e uroi kryetarin Kurti për mbarëvajtjen dhe rezultatin e procesit zgjedhor dhe shprehu dëshirën që sa më parë të formohen institucionet e reja në mënyrë që t’i hapet rrugë bashkëpunimit dhe projekteve të përbashkëta zhvillimore.

Ajo e njoftoi Kryetarin Kurti se prioritet i UNKT-së është partneriteti me Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, bashkëpunimi për programet e shtyrjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) në Kosovë, si dhe mbështetja e projekteve zhvillimore të qeverisë së re në të ardhmen.