Kusari-Lila: I kemi 80 apo 81 vota

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se besojnë që i kanë siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në postin e presidentes.

Kusari-Lila tha se nuk i kanë ofruar asgjë deputetit Adem Hoxha që sot të marrë pjesë në seancën ku do të votohet Presidenti. Ajo i ka komentuar edhe deklaratat e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së se tre deputetët e kësaj partie që dje s’morën pjesë në votim po kërcënohen.

“Ne duhet të japim llogari para qytetarëve të Republikës. Të karakterizohet një deklaratë e imja mendoj se është paksa e tepruar”, ka thënë Kusari-Lila.

“Ne shpresojmë se sot ky proces do të përmbyllet. Janë 80 apo 81 vota që do të numërohen në procesin e votimit për zgjedhjen e presidentes”, tha ajo.

“Për kërcënime është vetëm një adresë: Policia e Kosovës”, theksoi Kusari-Lila, duke iu përgjigjur deputetit Arben Gashi.

Ajo tha se Adem Hoxha s’ka kërkuar asgjë në këmbim të pjesëmarrjes së tij në votimin e sotëm.

“Nuk ka pasur oferta çfarë jemi mësuar të shohim. Çfarë kemi kërkuar është përgjegjësi më të madhe. S’ka kërkuar asgjë”, tha Kusari-Lila.

“Kemi konfirmimin se dy deputetët e partive jo-serbe janë në sallë”, theksoi ajo.