Kusari-Lila: Qeveria Kurti do të jetë reformatore

Kryetarja e Alternativës për Kosovën, Mimoza Kusari-Lila që ishte kandidate për deputete brenda listën së Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se qeveria e ardhshme e udhëhequr nga Albin Kurti, do ta ketë përgjegjësinë më të madhe që nga shpallja e Pavarësisë.

Kusari-Lila që sipas rezultateve preliminare do të jetë edhe një mandat deputete e Kuvendit të Kosovës, në një intervistë për EkonomiaOnline, shprehet e bindur se Albin Kurti do të bëjë reforma rrënjësore, për të cilat do të ketë mbështetjen e saj dhe të gjithë qytetarëve të vendit.

Megjithatë thotë se qeveria e ardhshme do të ballafaqohet edhe me sfida të shumta, përfshirë dialogun me Serbinë.

“’Qeveria Kurti’ e ka përgjegjësinë më të madhe prej shpalljes së pavarësisë, duhet të jetë një qeveri të cilët e presin një numër i madh reformave. Vet reforma brenda strukturës së administratës shtetërore, reforma thelbësore në proceset zhvillimore veçanti në zhvillimin ekonomik dhe punësim. E pret reforma dhe qasja e re në raport me fqinjët e Kosovës në veçanti në dialogun me Serbinë. Të gjitha këto kërkojnë një energji dhe angazhim maksimal. Bashkë me gjithë këtë përgjegjësi vjen edhe privilegji i të qenit qeveria më reformatore prej periudhës së përfundimit të luftës në Kosovë.

Jam shumë optimiste për të ardhmen e Kosovës dhe për faktin se do të jetë një qeverisje me një mbështetje maksimale nga qytetarët e Republikës së Kosovës”, thotë ajo.

Kusari-Lila, thotë se në zgjedhjet e 6 tetorit partia që ajo udhëheq ka arritur të ruajë mbështetjen e qytetarëve, duke marr votat përafërsisht të njëjta me ato të vitit 2017.

Thotë se largimi i Ilir Dedës nuk e ka dëmtuar partinë.

“Në kuadër të votave kemi arritur të mbajmë të njëjti nivel të votave edhe përkundrejt votave të cilat i patëm përbrenda në një fazë shumë të hershme të partisë dhe ky proces zgjedhorë na ka hupur optimizëm dhe shpresë se kemi arritur të kontribuojmë në një listë e cila doli fituese. Angazhimi dhe përpjekja në veçanti në komunën e Gjakovës në Pejë dhe në Prishtinë kanë treguar se ende ekziston besimi dhe mbështetja”, thotë ajo.

Por që pavarësisht mbështetjes që ka marrë në këto zgjedhje kryetarja e Alternativës thotë se nuk është në prioritetin e saj që të jetë pjesë e qeverisë dhe se nuk e ka diskutuar këtë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk e kam diskutuar me zotri Kurtin, nuk ka ardhur deri tek ky diskutim, për arsye se emrat e përveçëm ende nuk janë diskutuar. Është duke u trajtuar programi dhe natyrisht formati i qeverisë, në cilin do rast nuk ka qenë as kusht as kërkesë e imja.

Mendoj që pak është e rëndësishme tash për fatet individuale e kam fituar mandatin e deputetes, kam pasur një mbështetje shumë të mirë dhe e cila më bënë krenare për aktivitetin e deritashëm politik. Cila do përgjegjësi që më ngarkohet ose me të cilën do të përfundoj pas krejt këtij procesi zgjedhorë, nuk është se do të ketë kushte ose kërkesa individuale nga ana e ime”, thotë ajo.

Kusari-Lila ka vlerësuar se fushata zgjedhore dhe dita e mbajtjes së zgjedhjeve ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe e cila mund të krahasohet me nivel evropian duke u falënderuar partive si dhe përkrahësve të partive politike.

“Pjesa e parë e procesit zhvillimi i fushatës dhe mbajtja e procesit zgjedhorë besoj që kanë qenë në standardin më të lartë të mundshëm duhet të them për të gjitha partitë pa dallim, fushata ka shkuar pa tensionove, me një gjuhë shumë të kujdesshme edhe të oponentëve politik ndaj njëri tjetrit dhe ka ekzistuar po i njëjti respekt edhe nga përkrahësit, partitë në dy polet e kundërta kanë pasur tubim në të njëjtin qytet pa asnjë incident të regjistruar kjo e tregon një shkallë të lartë të pjekurisë të kosovarëve në përgjithësi. Njëjtë mund të them për 6 tetorin me disa përjashtime por standard i cili mund të krahasohet me cilin do vend evropian”.

Ndërsa procesin e rinumërimit të disa vendvotimeve Kusari-Lila e vlerëson si një mungesë joserioziteti në raportet komisionerë-kandidatë për deputetë.

Ajo megjithatë beson se problemet që janë shfaqur nuk do të ndikojnë në ndryshimin e rezultatit zgjedhor.

“Problemet të cilat janë shfaqur në kuadër të listave tregojnë mungesën e seriozitetit të strukturave brenda partive politike në raportet komisionerë dhe kandidatë për deputetë për shkak se është vërejtur që ka pasur më tepër keqpërdorime brenda llojit, brenda partive politike. Kjo sjell në një pikë ku duhet të mendohet seriozisht për reformë në këtë aspekt dhe përgjegjësi shumë më të madhe të atyre të përfshirë në procesin zgjedhorë”, thotë ajo.

Mimoza Kusari-Lila e cila ka udhëhequr për një mandat me Komunën e Gjakovës, ka treguar se më nuk do të garojë për të parën e Gjakovës, pasi që do të përqendrohet në nivelin qendror, por që gjithmonë do të jetë e angazhuar për qytetin e saj të lindjes.

“Edhe pse kam mbështetje shumë të madhe në Gjakovë, siç u pa edhe në këto zgjedhjet e fundit nacionale unë nuk do të garoj më për kryetare të komunës së Gjakovës. Mendoj se tash fokusi im duhet të jetë në angazhimet në nivelin qendrorë, ku nuk do të jetë vetëm Gjakova por është e tërë Kosova dhe natyrisht prej këtu të i ndihmojë edhe Gjakovës, por angazhimi im për Gjakovën mbetet baza ime është Gjakova”, përfundon ajo. /EkonomiaOnline/