Kush e kërcënoi Gazmend Muhaxherin?

Personi i dyshuar që përmes rrjeteve sociale thuhet t’a ketë kërcënuar kryetarin e Komunës e Pejës, Gazmend Muhaxherin, raportohet të jetë arrestuar sot nga ana e policisë, ndërsa VV-ja të cilës i është lakuar emri publikisht, ka mohuar akuzat duke paralajmëruar masa ligjore për shpifje.

Sipas raportimeve, sot në qytet ka bërë bujë lajmi, se është kërcënuar Myhaxheri, për çka është kontaktuar edhe policia e Pejës, nga ku është konfirmuar ankesa.

Ndërkaq, para pak çastesh njoftohet se policia e ka arrestuar një person, në këtë rast një femër, e cila dyshohet ta ketë kryer këtë vepër ndaj kreut të komunës së Pejës.

Por, ata që kanë reaguar me këtë rast, kanë qenë përfaqësuesit e Lëvizjes Vetvendosje në Pejë, të cilët kanë paraqitur publikisht një faqe facebooku, “Lajme nga Peja”, prapa të cilës nuk dihet se kush qëndron, e cila lakon emrin e subjektit të VV-së, duke i paraqitur ata si kërcënuesit e Muhaxherit.

Zyrtari ligjor i kësaj partie, Berat Ganiqi, duke mohuar akuzat për kërcënim qe kanë ardhur publikisht nga kjo faqe, në adresë të subjektit të tyre, ai ka thënë se do të ndërmarrin masa ligjore ndaj kësaj faqe, e cila sipas tij, ka kohë që linqon Vetëvendosjen në Pejë.