Kush është në ekipin për negociata në bisedimet me Serbinë të formuar nga Albin Kurti?

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka dërguar një letër Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun dhe Çështje të tjera Rajonal të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, përmes së cilës i ka uruar atij marrjen e re të detyrës dhe suksese.

Në letrën e dërguar nga Kurti u tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për dialogun me Serbinë, që të arrihet një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese midis dy vendeve.

Në këtë letër, Kurti ndër të tjerash paraqiti edhe ekipin negociator që sipas tij do të udhëhiqet nga veti ai, e ku presidenti Hashim Thaçi do të jetë anëtar.

“Si Kryeministër, jam i obliguar sipas Kushtetutës që të themeloj dhe udhëheq ekipin negociator. Prandaj, plani im është që të krijoj një ekip gjithëpërfshirës dhe të balancuar në baza gjinore. Përbërja e ekipit do të jetë si në vijim:

1. Albin Kurti – Kryeministër dhe Udhëheqës i ekipit negociator

2. Hashim Thaçi – President, anëtar

3. Vjosa Osmani – Kryetare e Kuvendit, anëtare

4. Përfaqësuesi i LVV, anëtar

5. Përfaqësuesi i LDK, anëtar

6. Përfaqësuesi i PDK, anëtar

7. Përfaqësuesi i AAK-PSD, anëtar

8. Përfaqësuesi i NISMA-AKR, anëtar

9. Përfaqësuesi i Listës Serbe, anëtar

10. Përfaqësuesi i Grupit 6+, anëtar”, thuhet ndër të tjerash në këtë letër.