Kush është Osman Atalay dhe çfarë po kërkon pranë Albin Kurtit në Turqi?

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është duke qëndruar për vizitë në Republikën e Turqisë.

Në Turqi, Albin Kurti ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme me ç’rast ka takuar Kryetarin e Parlamentit të Turqisë, Mustafa Sentop, Shefin e Grupit Parlamentar të Partisë Republikane të Popullit (CHP), Engin Özkoç dhe deputetët Utku Çakirözer dhe Haluk Koç, Shefin e Grupit Parlamentar të Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Erkan Akçay dhe deputetin Muhammed Levent Bülbül, Shefin e Grupit Parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), Bülent Turan si dhe Drejtorin e Agjencisë Turke për Zhvillim Ndërkombëtar (TIKA) për Evropën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor, Mahmut Zütüh Çevik.

Në vizitën e tij në Turqi, Albin Kurtin po e shoqërojnë edhe deputetet Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kryetari i Qendrës së Prishtinës, Arben Vitia dhe anëtari i Kuvendit të Komunës së Prishtinës, Arbër Vokrri.

Në të gjitha takimet të cilat i ka realizuar lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, atij pranë i ka qëndruar edhe Osman Atalay, emër i panjohur për opinionin në Kosovë. Në fotografitë e shumta nga takimet, Osman Atalay, herë duket si pjesë e delegacionit të udhëhequr nga Kurti, e herë duket në cilësi të delegacionit mikpritës.

Takimi i Kurtit në AKP
Takimi i Kurtit në CHP
Takimi i Kurtit në MHP
Takimi i Kurtit me Kryetarin e Parlamentit të Turqisë
Takimi i Kurtit me Kryetarin e Parlamentit të Turqisë
Takimi i Kurtit në TIKA

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Osman Atalay ka njoftuar se ai është edhe organizator i takimit të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me studentët shqiptarë në Stamboll, takim i cili do të mbahet nesër në Universitetin e Stambollit.

Kush është Osman Atalay?

Sikurse shihet në fotografi, Osman Atalay, është njëri ndër përfaqësuesit kryesorë të organizatës IHH në Turqi.

IHH është organizatë humanitare turke e themeluar në vitin 1992 dhe e cila aktualisht vepron në 135 shtete të ndryshme të botës. Opinioni ndërkombëtar është njoftuar më për së afërmi me këtë organizatë në vitin 2010.

Më 31 maj 2010, IHH e nisi një flotë prej 6 anijesh, përfshirë anijen e famshme “Mavi Marmara”, në drejtim të Gazës, në Palestinë, e cila asokohe ishte nën bllokadën izraelite. Forcat speciale izraelite zbarkuan në “Mavi Marmara” derisa ajo qëndronte 130 kilometra larg bregut izraelit, duke lënë të vdekur 10 aktivistë të IHH-së.

Organizata IHH, nga institucione ndërkombëtare që merren me hulumtime të terrorizmit ndërkombëtar, cilësohet si “Fytyra joprofitabile e xhihadizmit” (https://www.ict.org.il/Article/2397/IHH#gsc.tab=0).

Osman Atalay, nga ana tjetër, në maj të vitit 2011 është paraqitur para mediave turke duke dënuar vrasjen e liderit të Al-Kaidës, Osama Bin Laden, nga njësitë speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (https://www.terrorism-info.org.il/en/17909/ ). Osama Bin Laden konsiderohet si përgjegjës kryesor i akteve më të rënda terroriste në histori të SHBA-ve, sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Në profilet e tij në rrjete sociale, shihen me qindra fotografi të Osman Atalay në aktivitete në shtete të ndryshme, përfshirë Kosovën e Maqedoninë. Së fundi, IHH, nën udhëheqjen e Osman Atalay, ka shtruar iftar gjatë muajit të Ramazanit në Prishtinë.

Mbetet e paqartë cili ka qenë roli i Osman Atalay gjatë vizitës së Albin Kurtit në Turqi, në çfarë funksioni ka qëndruar Osman Atalay pranë delegacionit të Vetëvendosjes, cili është bashkëpunimi i Albin Kurtit me Osman Atalay dhe pse Albin Kurti ka nevojë që Osman Atalay t’ia organizojë takimin me studentët shqiptarë në Stamboll.

Duke u deklaruar rreth qëllimit të vizitës së tij në Turqi, në profilin e tij në rrjete sociale, Kurti ka shkruar “Synimi ynë është që Kosova të integrohet në Bashkimin Evropian dhe NATO. Duke qenë se pengesa kryesore për anëtarësimin është mosnjohja nga 5 shtetet e BE-së, përkatësisht 4 shtetet e NATO-s, kërkova që të na ndihmojnë me kontaktet që kanë me partitë simotra në këto vende duke kërkuar nga to që ta njohin shtetin e Kosovës.”