Kush janë të nominuarit për pozitat kyçe të BE-së

Sot, Samiti i jashtëzakonshëm Evropian, nominoj kandidatët për pozitat kyçe të BE-së:

  1. Znj. Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian;
  2. Z Charles Michel, President i Këshillit Evropian;
  3. Z. Josep Borell Fontelles, Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme;
  4. Znj. Christine Lagarde, Presidente e Bankës Evropiane Qendrore.

KUSH JANË TË NOMINUARIT PËR POZITAT KYÇE TË BE-SË?

Znj. Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian

Znj. von der Leyen, shtetas Gjermane, është Ministrja aktuale e Mbrojtjes e Gjermanisë. Është e vetme Ministre që ka shërbyer pranë Kancelares Merkel qysh nga ardhja në pushtet e Kancelares në vitin 2005. Pas propozimit të sotëm për tu emëruar si Presidente e KE-së, znj. von der Leyen duhet të votohet nga Parlamenti Evropian. Votimi pritet të ndodhë me 15-18 korrik 2019. Në rast emërimit të saj përfundimtar kjo do të jetë hera e parë që një femër do të jetë Presidente e Komisionit Evropian qysh nga viti 1952.

Z. Charles Michel, President i Këshillit Evropian

Z. Michel, shtetas Belg, është Kryeministër në detyrë i Belgjikës qysh nga viti 2014. Para kësaj, ka qenë Ministër përgjegjës për Bashkëpunim Zhvillimor. Emërimi i z. Michel është përfundimtar pasi që nuk kërkon procedura të tjera.

Z. Josep Borell Fontelles, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme

Z. Borell, shtetas spanjoll, është Ministër aktual i Punëve të Jashtme i Spanjës. Para kësaj, ka qenë President i Parlamentit Evropian nga viti 2004 deri 2007. Pas propozimit të sotëm për tu emëruar si Përfaqësues i Lartë, z. Borell duhet të emërohet përfundimisht nga Presidenti i ri i Komisionit Evropian.

Znj. Christine Lagarde, Presidente e Bankës Evropiane Qendrore

Znj. Lagarde, shtetase Franqeze, është Drejtore aktuale Menaxhuese e FMN-së. Para kësaj, ka mbajtur disa poste ministrore në qeverinë e Francës, në mes tjerash Ministre e Ekonomisë, Financave dhe Industrisë nga 2007 deri 2011. Pas propozimit të sotëm për tu emëruar si Presidente e Bankës Evropiane Qendrore, znj. Lagarde do të emërohet përfundimisht vetëm pas pranimit të rekomandimeve dhe opinioneve të Parlamentit Evropian dhe Bordit të Guvernatorëve të Bankës Qendrore Evropiane rreth emërimit të saj.

Pas propozimit të sotëm të znj. von der Leyen për Presidente të Komisionit Evropian nga ana e Këshillit, përgjegjësia për vazhdimin e procedurës për konsolidimin e institucioneve të reja të BE-së kalon tek Parlamenti Evropian, njofton Instituti Epik.

6 hapat e mbetur drejt institucioneve të reja të BE-së

Duke marr për bazë nenin 17.7 të versionit të konsoliduar të Traktatit për Bashkimin Evropian, Deklaratën 11, shtojcë e traktatit, si dhe afatet kohore të konstituimit të institucioneve të BE-së të dalura nga zgjedhjet 2014, janë gjithsej 8 hapat drejt konstituimit të institucioneve të reja. Para nesh kanë mbetur edhe këto gjashtë hapa:

  1. 3 Korrik: Mbahet seanca plenare dhe inauguruese e Parlamentit të ri Evropian dhe bëhet zgjedhja e Presidentit të ri të Parlamentit Evropian;
  2. 15-18 Korrik: Parlamenti Evropian voton Presidentin e ri të Komisionit Evropian, me shumicën e votave (të paktën 376);
  3. Gusht/Shtator: Shtetet Anëtare propozojnë Komisionerë të tyre, në konsultim me Presidentin e Komisionit;
  4. Shtator/Tetor: Mbahen intervistat e Komisionerëve në komisionet parlamentare të Parlamentit Evropian;
  5. Tetor/Nëntor: Votimi i përbërjes së plotë të Komisionit Evropian nga ana e Parlamentit, me shumicën e votave. Këshilli Evropian, me shumicë të kualifikuar, emëron Komisionin e ri Evropian;
  6. Nëntor: Inagurimi i Komisionit të ri Evropian.