Kush janë zyrtarët e arrestuar për dallavere me patentë shoferë ?

Policia e Kosovës ka arrestuar pak minuta më parë edhe dy persona në qendrën për patent shoferë në Prishtinë.

Siç raporton T7 nga vendi i ngjarjes, bëhet fjalë për një ekzaminer dhe një kandidat për patent shoferë.

Në pyetje ndërkaq po merret edhe Drejtoresha e Departamentit për Patent Shoferë.

Ndërkohë Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, është duke zhvilluar një aksion nëpër disa qendra ku mbahen provimet për autoshkollë.

Sipas këtij burimi, aksioni që ka filluar ditën e sotme është ende duke vazhduar e për këtë nuk mund të dalin me informata zyrtare.

Fillimisht, një tollovi filloi në qendrën ku mbahen provimet te Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, ku, siç mëson Express, sot nuk është mbajtur asnjë provim, derisa ka pasur edhe të arrestuar.

Tutje, mësohet se bëhet fjalë për dy zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës që janë arrestuar, mirëpo që një gjë të tillë të kontaktuar nga Express nuk e kanë konfirmuar në Ministrinë përkatëse.

T7, ndërkaq, raporton nga vendi i ngjarjes, derisa bëhet e ditur se aksioni po vazhdon ende.