Kushtetuesja anulon nenin e Ligjit për Kryq të Kuq

Bazuar në një nen të Ligjit për Kryqin e Kuq të Kosovës, i cili në mars të këtij viti është shpallur jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese, për vite të tëra Kryqi i Kuq i Kosovës ka kërkuar nga kompanitë e sigurimeve që operojnë në Kosovë, që të ndajnë për këtë organizatë “një për qind të bruto premisë për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve motorike në Kosovë”, shkruan sot Koha Ditore.

Pagesa bazuar në paragrafin 1.7 të nenit 14 të këtij ligji nuk janë bërë asnjëherë, qëkur Ligji ka hyrë në fuqi në vitin 2010. Interpretimin e këtij neni nga Kushtetuesja e ka kërkuar Gjykata Supreme e Kosovës, bazuar në këtë interpretim kjo e fundit ka anuluar edhe vendimin e Gjykatës së Apelit e edhe atë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilat ishte kërkuar nga kompania e sigurimeve “Illyria”, e cila ishte në kontest gjyqësor me Kryqin e Kuq të Kosovës, të paguante më shumë se 248 mijë euro për Kryqin e Kuq.

Pas vendimit të Supremes, sekretari i Kryqit të Kuq të Kosovës, Agron Humolli, ka thënë se me një parashtresë i janë drejtuar Gjykatës Supreme, ku kanë kërkuar që kompanitë e sigurimeve, në rastin konkret “Illyria”, të paguajnë për periudhën sa neni në fjalë ka qenë në fuqi. Në Gjykatën Supreme kanë thënë se parashtresa është bërë pas marrjes së vendimit, dhe për këtë arsye “kolegji i gjykatës nuk ka mundur të vendoste lidhur me parashtresën” në fjalë.

Nga Shoqata e Kompanive të Sigurimeve nuk kanë komentuar nëse do të bëhet pagesa e mjeteve për periudhën sa ka qenë në fuqi ky nen ose jo. Ata vetëm kanë thënë se do të respektojnë vendimin e Kushtetueses. “Gjykata Kushtetuese është organi më i lartë juridik dhe ne e respektojmë çdo vendim që nxirret nga ky institucion”, thuhet në një përgjigje të shkurtër të kësaj shoqate.