Kushtetuesja e refuzon kërkesën e Haradinajt

Për rastin e dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese. Para pak minutash, përmes një njoftimi për media, Gjykata i ka kthyer përgjigje Haradinajt se “ kjo kërkesë nuk hynë në fushëveprimin e jurisdiksionit të Gjykatës Kushtetuese”.

“Gjykata konkludoi se çështjet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës nuk hyjnë në fushëveprimin e jurisdiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113 të Kushtetutës. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, dhe me rregullin 59 (2) të Rregullores së punës, Gjykata njëzëri vendosi:  TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme”, thuhet në njoftimin e tyre.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka treguar se ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim të aktiti të dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit të vendit.

Ai ka kërkuar edhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas këtij akti.