“Kushtetuesja ia ndaloi Kurtit garën për deputet, s’mund të vendosë ndryshe për kryeministrin”

Pasi ia ndaloi të kandidonte për deputet, Gjykata Kushtetuese e ka të pamundur të vendosë ndryshe nëse zgjedhja e Albin Kurtit kryeministër shkon në këtë gjykatë, ka thënë ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani. Sipas tij, me vendimin e 6 janarit kur Kurtit ia ndaloi të kandidonte për deputet për shkak se ndaj tij kishte aktgjykim dënues për vepër penale në tri vjetët e fundit, Kushtetuesja “ia ka lidhur duart vetes”.

Kurti u zgjodh kryeministër të hënën duke marrë 67 vota në Kuvend.

Kundër emrit të tij si të propozuar për kryeministër, paraprakisht doli opozita. Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës para se të dilte në votim Qeveria Kurti, u shpreh se për kryeministër po votohet një person i cili ka dënim në tri vitet e fundit, duke iu referuar aktgjykimit të Kushtetueses me të cilin ia ndaloi Kurtit të garonte më 14 shkurt. Ky vendim, përfshirë edhe për Kurtin, ishte bërë për të gjithë personat që ishin dënuar me aktgjykim të plotë për ndonjë vepër penale.

Megjithatë, sipas ish-kryetarit të Kushtetueses, vendimi i janarit ishte i palogjikshëm. Por ai ka vlerësuar se ky institucion tani e ka të pamundur të ndërrojë qëndrim.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë arbitrar dhe joprofesional, fund e krye. Sipas logjikës së atij vendimi del kjo që ju thoni. Por me sa po kuptoj unë nuk ka një vullnet për të dërguar rastin në Gjykatë Kushtetuese. Mendoj se përbën një praktikë të mirë sepse nuk duhet çdo gjë të zgjidhet përmes Gjykatës Kushtetuese. Nëse rasti, megjithatë, përfundon në Gjykatë Kushtetuese, atëherë ajo e ka të pamundur të vendosë ndryshe sepse ia ka lidhë duart veti me një vendim krejt të çuditshëm dhe pa asnjë logjikë profesionale”, ka deklaruar Hasani kur është pyetur se a mund t’i sjellë Kurtit problem vendimi i mëhershëm i Kushtetueses.

Në anën tjetër, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, paralajmëroi ankesë në Kushtetuese pasi Kurti s’ua dha dy ministri. “Për këtë do të ankohemi në Kushtetuese. Ua kemi dëshmuar me firma në takimet që kemi pasur se i kemi 11 deputetë dhe na takojnë dy ministri. Është nisje e keqe nga ana juaj z. mandatar, është mesazh i keq për të gjithë qytetarët. Lista Serbe nuk do të votojë qeverinë dhe do të ankohemi në Kushtetuese”, pati thënë Simiq pak para votimit të Qeverisë Kurti.

E për këtë, Hasani nuk beson se Lista Serbe mund ta fitojë rastin mirëpo thotë se mbetet të shihet përmbajtja e kërkesës e tyre.

“Ata (Lista Serbe) dhe çdokush me 10 deputetë mund ta sfidojnë çdo vendim të Kuvendit. Kam shumë dyshime që mund ta fitojnë rastin. Ngelet të shihet përmbajtja e kërkesës së tyre, nëse ata vendosin ta dërgojnë rastin në Gjykatë Kushtetuese. Përsëri po them, kam shumë dyshime që mund të fitojnë në këtë rast”, është shprehur ai.

Hasani ka potencuar se është logjikë e gabuar që çdo gjë që nuk e ndalon Kushtetuta, të lejohet. Ai thotë se Kushtetuta si dokumenti më i lartë i një shteti autorizon dhe mbron lirinë, ku nga 162 nenet e saj, “jo më shumë se pesë prej tyre ndalojnë veprime të caktuara”. Te vepruarit në bazë të kësaj logjike, Hasani e quan si ftesë për kaos dhe anarki.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit në zgjedhjet e 14 shkurtit mori mbi 50 për qind të votave, edhe pse Kurti s’ishte në listë. Të hënën, nga kjo parti kryeparlamentar u zgjodh Glauk Konjufca. Me t’u emëruar edhe si ushtrues detyre i presidentit, ai dekretoi Kurtin për kryeministër. Në mbrëmje, Kurti formoi Qeverinë me 67 vota pro.