Kuvendarët e Gjilanit diskutojnë për gjendjen emergjente te ujit të pijshëm

Kuvendarët e Gjilanit, ne seancën e udhëhequr nga Shpresa Kurteshi Emini, kanë diskutuar të enjten për gjendjen emergjente të ujit të pijshëm si pasojë e rënies drrastike të nivelit të ujit në Pendën e Përlepnicës.

Drejtoresha financiare e Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit “Hidromorava”, Merita Xhelili, ka paraqitur raport për tejkalimin nga kjo situatë e rëndë, teksa ka falënderuar kreun e Komunës për angazhimin e madh në përballimin e kësaj gjendje.

Ajo tha se tash për tash po e aplikojnë orarin e reduktimeve për nëntë orë, nga 21:00-06:00, ndërkaq ka përmendur se nëse arrihet në pikën kritike, do të shkohet edhe me katër orë plus.

Pasi ka paraqitur planin për dalje nga kjo gjendje, Xhelili theksoi se bashkë me Komunën e Gjilanit po punohet shumë në gjetjen dhe shfrytëzimin e puseve të reja, siç janë te Kazerma e FSK, pastaj shpimi i puseve në lagjen “Porodin”, te Livadhet e Koretishtës dhe te ura e Livoçit.

“Ndërsa, zgjidhja afatgjate e cila doli dje nga konferenca e organizuar nga kryetari Lutfi Haziri, është ndërtimi i Pendës Te Shusht sikurse edhe te lumi Llapushnica”, tha ajo.

Shefi i Grupit të Këshilltarëve të LDK’së, Avdyl Aliu, ka përgëzuar kryetarin Haziri dhe përfaqësuesit e kompanisë Hidromorava për angazhimin e jashtëzakonshëm për ta tejkaluar këtë gjendje emergjente.

“Por, mos harroni, problemet 50-vjeçare të ujit nuk mund të zgjidhen për pesë vite. E përgëzoj, në veçanti kryetarin Lutfi Haziri, për angazhimin dhe sensibilizimin e të gjithë faktorëve komnunal, nacional dhe ata ndërkombëtar për ta kaluar këtë emergjencë dhe për të gjetur zgjidhje afatgjate për ujin e pijshëm”, tha Aliu.

Ndërkaq, në këtë pikë, kritika kanë shfaqur anëtarët e opozitës, Riza Abdyli (PDK), Nevzad Isufi (VV), Bujar Nevzati (PDK), Shefik Surdulli (PDK) dhe Isa Agushi (i pavarur).

Shefi i GK të Lëvizjes Vetëvendosje, Nevzad Isufi, ka kritikuar kompaninë Hidromorava që, sipas tij, nuk i kanë informuar qytetarët për orarin e reduktimeve nëpër lokalitet, derisa ai i PDK’së, Riza Abdyli, theksoi se këta hapa që janë ndërmarrë tash nga Komuna dhe Hidromorava, është dashur të merren më herët.

Në përgjigjen në kritikat e antëtarëve të Kuvendit Komunal nga radhët e opozitës, drejtoresha financiare e KRU Hidromorava, Merita Xhelili, tha se përmes faqes së tyre, qytetarët janë të informuar në vazhdimësi për orarin e reduktimeve, për të shtuar se situate emergjente po menaxhohet në mënyrën më të mirë.

Ajo ka njoftuar se 60 për qind e gjilanasëve furnizohen me ujë të pijshëm nga Penda e Përlepnicës, ndërsa pjesa tjerër nga burimi në fshatin Velekincë dhe ai te “Baja”.

Në këtë seancë është miratuar Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) për vitin fiscal 2020 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2020-2022.

Kuvendi po i vazhdon punimet edhe për projekt rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për dhënien e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, për propozim vendimin për formimin e komisionit për ndarjen e bursave për studentët e dalluar, për propozim vendimin për përcaktimin e lartësisë së kompensimit mujor për anëtarët e Komisionit Komunal të aksionarëve në KRU Hidromorabva dhe formimin e komisionit për shqyrtimin e ankesave në procesin e emërtimit të rrugëve dhe numërtimit të adresave për territorin e komunës së Gjilanit, njofton Zyra për Informim e Komunës së Gjilanit.