Laboratorët privatë do të jenë të detyruar të raportojnë çdo javë qarkullimin që kanë nga testet për COVID-19

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi ka thënë se çmimet për testin për COVID-19, duhet të variojnë nga njëri laborator në tjetrin, ndërsa theksoi se kanë paraparë disa masa të cilat do të duhet t’i respektojnë institucionet shëndetësore private, në mënyrë që të mos veprohet në dëm të qytetarëve.

Prestreshi tha se masat janë marrë në mënyrë që të monitorojnë lëvizjen e çmimeve të testimeve për COVID-19, nga laboratorët privatë, ndër të cilat janë edhe raportimi i qarkullimit javor të këtyre testimeve të cilin duhet tw bëhen në AKK.

“Nga këto ndërmarrje kemi kërkuar nga dita e sotme që të hënën, deri në ora 16:00, t’i dorëzojnë Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, listën e çmimeve për shërbimin e testit serologjik dhe molekular, për Sars-Cov, në mënyrë elektronike. Ndërmarrjet përkatëse janë të detyruar që qarkullimin javor çdo të hënë të shërbimeve për testet molekulare dhe serologjike ta dorëzojnë në AKK. Gjithashtu, çdo të hënë deri në përfundim të pandemisë, ndërmarrjet janë të detyruara që importin e testeve molekulare dhe serologjike, t’ia dorëzojnë Autoritetit Kosovarë të Konkurrencës”, tha Prestreshi.

Prestreshi tha se të premten e kësaj jave, të gjitha kompanitë e licencuara janë të obliguara ta dorëzojnë planin e biznesit tek Autoriteti Kosovarë i Konkurrencës.

Në këtë mënyrë, Prestreshi tha se do ta monitorojnë dhe vëzhgojnë lëvizjen, apo edhe caktimin e çmimeve të shërbimeve që japin laboratorët privat të licencuara për testimet për coronavirus. /Telegrafi/