LAJMI I FUNDIT: Gjykata merr vendim për rastin e Agonis Tetajt

Gjykata e Pejës sot ka marrë vendim që të rihap shqyrtimin në çështjen e vrasjes së Agonis Tetajt.

Ky rast ka marrë vëmendjen e opinionit publik pas publikimit të videos së momentin të vrasjes së të ndjerit Agonis Tetajt.

Isuf Tetaj, babai i tani të ndjerit Agonis Tetaj, përmes një emaili ka alarmuar opinionin publik lidhur me dyshimet e tij se prokurori i cili përfaqëson akuzën në rastin për vrasjen e djalit të tij, Agonis Tetaj – prokurori Agron Uka ka bërë ricilësimin e veprës penale nga “vrasja e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Letra e Isuf Tetaj ishte drejtuar për mediat, shoqërinë civile, ambasadat e huaja në vend dhe bashkangjitur ka edhe videon e momentit të vrasjes së djalit të tij.

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka marrë lëndën e vrasjes së Tetajt nga prokurori Agron Uka për t’ia ndarë dikujt tjetër si dhe ka kërkuar nga gjykata që rasti të rihapet.

Prokurori i këtij rasti Agron Uka si dhe  Besnik Berisha avokati mbrojtës i të akuzuarit në këtë rast, Shaban Gogajt u përfshinë në një situatë kontraverse ditëve të fundit, pasi u dëshmua me fotografi që të dy ishin takuar në një restorant në Gjilan.

Këto dëshmi dolën në sipërfaqe pasi prokurori Uka kishte vendosur që në ditën e fundit të gjykimit ta ndryshonte veprën e të akuzuarit Gogaj nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia. Kjo shkaktoi reagime të mëdha, sidomos nga familja e të ndjerit, Agonis Tetaj të cilët shpërndanë videon nga kamerat e sigurisë që kishin kapur momentin e vrasjes së Agonis Tetajt. Përmes videos, familja pretendon se vrasja nuk ka qenë aksidentale siç pretendon prokurori.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.