Latifi kritikë partive: Daçiçi grumbullon ç’njohje, ne grumbullojmë vota

Filozofi Blerim Lafiti ka adresuar kritikë të ashpër ndaj subjekteve politike të cilat janë përfshirë në përfshirë tashmë në ethet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Ai ka kritikuar subjektet politike se kanë harruar betejën e Kosovës për njohje ndërkombëtare dhe gjithë energjinë e tyre e kanë fokusuar në grumbullimin e votave.

“Daçiçi grumbullon çnjohje, ne grumbullojmë vota, SHBA kujdeset për pavarësinë tonë”, ka shkruar Latifi, në profilin e tij në rrjete sociale.

“Derisa ne kemi harruar punët e shtetit, duke vrapuar pas grumbullimit të votave, Ivica Daçiç me çantën e tij diplomatike të mbushur me para bredh nëpër shtetet private të Afrikës për të blerë çnjohjet e Kosovës, ndërkaq, siç paska shkruar një media e Beogradit, “shërbimet e inteligjencës amerikane janë aktivizuar për të zbuluar personat që po lobojnë dhe shtetet eventuale të cilat po e përkrahin Serbinë në luftën kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

Ish këshilltari i ish Kryeparlamentarit Vesei, Blerim Latifi, më tej ka shtuar se SHBA-të po sillen me ne jo si partnerë, por siç sillet baba me të birin. “Edhe kur i biri lazdrohet dhe bëhet bukëpërmbyst, baba vazhdon të kujdeset për sigurinë e tij. Veç një gjë duhet ta kemi të qartë: edhe kujdesi atëror i ka kufijtë e tij”, ka përfunduar shkrimin e tij Latifi.