LDK dhe VV bojkotojnë mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, dështon mbledhja

Ka dështuar mbledhja e kryesisë së Kuvendit pas bojkotimit të saj nga LDK dhe VV.

Anëtari i Kryesisë, Avdullah Hoti tha se nuk mund të ftohet seanca me koalicion të pakicës.

“Nuk mund të ftohen seancat e kuvendit ndërkohë që të gjitha pikat nga shtatori i vitit të kaluar janë në një seancë maratonike. Nuk ka kuptim që të thirren seanca të tilla. Ne shprehim qëndrimin që jemi të gatshëm të ulemi për ta si të nxjerrim vendin nga kjo krizë. Dhe ajo është që të ulemi dhe të caktojmë datën e zgjedhjeve”, tha Hoti.

Ndërsa, Albulena Haxhiu nga VV tha se opozita e lëshoi mbledhjen e kryesisë së Kuvendit për shkak të arrogancave të përfaqësuesit të pakicës ose PAN.

“Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet. Opozita nuk pranon që të vazhdojë kinse nuk ka ndodhur asgjë edhe për kundër skandaleve edhe përkundër vendimeve politike. Qysh nesër të dorëzohet mocioni për rrëzimin e qeverisë pavarësisht a i kemi 61 firma apo jo. Zgjedhjet janë e vetmja mundësi për të dalë nga kriza”, tha Haxhiu.

Shqipe Pantina nga PSD ka dorëzuar nënshkrimet për mocionin e rrëzimit të qeverisë dhe tha se PSD i ka të gatshme 12 nënshkrime.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti tha se opozita në kundërshtim me kushtetutën dhe rregullat e Kuvendit nuk po dëshirojnë t’i kryejnë detyrat e tyre.

“Ata janë të obliguar që t’i kryejnë detyrat e veta. Përfaqësues të LDK lëshuan mbledhjen dhe pati pamundësi të kuorumit”, tha Haliti.