Teksti i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë është harmonizuar mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Avdullah Hoti nga LDK-ja ka pohuar se mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë e ka diskutuar edhe me PSD-në dhe deputetët Deda e Kusari.
Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së ka ftuar të gjitha grupet parlamentare dhe deputetët e pavarur që ta mbështesin mocionin.
Postimi i plotë i Hotit në FB:
Sot me LVV-në kemi harmonizuar tekstin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë. Sot jam takuar edhe me përfaqësuesen e Grupit Parlamentar të PSD-së dhe deputetin Ilir Deda, si dhe kam komunikuar me deputeten Mimoza Kusari Lila, për të diskutuar mocionin. Në cilësinë e Kryetarit të Grupit më të madh Parlamentar në Kuvend, i ftoj të gjitha grupet parlamentare dhe deputetët e pavarur të mbështesin mocionin.