LDK ende në pritje të aktgjykimit të Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese të enjten e kaluar konstatoi se dekreti i presidentit Hashim Thaçi për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën.

Gjykata po ashtu konstatoi se “mocioni i mosbesimit ndaj një qeverie në kuvend nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit”, duke i hapur kështu rrugë krijimit të qeverisë së re.

E pas kësaj, Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk e ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, kërkesën për thirrjen e seancës për votimin e qeverisë.

Lidhur me këtë, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë për Telegrafin se janë në pritje të aktgjykimit të plotë të nga ana e Kushtetueses.

“Po presim me ardh vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë shkurt Gashi.

LDK ende nuk ka vendosur zyrtarisht edhe për emrat e ministrave. Megjithatë, Telegrafi ka mësuar nga një zyrtar i lartë i kësaj partie se nuk do të ketë ndryshime të mëdha në emrat e ministrave të LDK-së në qeverinë e re.

Ky burim ka bërë të ditur se Hykmete Bajrami nga ministria e Arsimit do të kalojë në postin e zëvendëskryeministres, Vlora Dumoshi pritet të vazhdojë në MKRS, Agim Veliu do të rikthehet në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Arban Abrashi në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, Armend Zemaj në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ndërkaq, nuk dihet nëse ministri aktual Lumir Abdixhiku do të kalojë në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, apo nuk do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar. Po ashtu, Besian Mustafa pritet ta lë postin e ministrit të Bujqësisë dhe të merr atë të udhëheqësit të Dikasterit të Integrimeve Evropiane në kuadër të MPJ.

Kujtojmë se pas vendimit të gjykatës, presidenti Hashim Thaçi kërkoi nga të gjitha subjektet politike që ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

E kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se vendimi i Kushtetueses është i papranueshëm.

Kurti ka thënë se ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel logjik e juridik, duke shtuar se beteja e tyre vazhdon bashkë me popullin. /Telegrafi/