LDK reagon ndaj fushatës linçuese drejt SHBA-ve

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti që të ndalojë fushatën linçuese që po bëhet ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

LDK përmes një reagimi për media ka thënë se e dënon ashpër këtë fushatë të ulët e linçuese e cila po zhvillohet në rrjetet sociale apo përmes deklaratave politike, e orkestruar, qoftë drejtpërdrejt përmes aktivistëve politik apo forma tjera indirekte, ndaj aleatit të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe personaliteteve të SHBA-ve.

Reagimi i plotë i LDK-së:

LDK dënon ashpër fushatën e ulët linçuese, e cila po zhvillohet në rrjetet sociale apo përmes deklaratave politike, e orkestruar, qoftë drejtpërdrejt përmes aktivistëve politik apo forma tjera indirekte, ndaj aleatit të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe personaliteteve të SHBA-ve.

Fushata denigruese ndaj aleatit kryesor të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës për LDK-në është e papranueshme dhe e pafalshme.

Fryma e fushatatës së tillë u instalua nga deklaratat publike të disa këshilltarëve të Kryeministrit të Kosovës, e pasuar nga militantë të LVV-së.

LDK fton qytetarët e Kosovës të refuzojnë këtë fushatë dhe të mos bëhen pjesë e një diskursi që nuk pasqyron edukatën tonë personale, familjare e qytetare dhe nuk i takon kulturës dhe traditës tonë, si shoqëri e si komb.

LDK fton Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurtin, që është kryeministër në detyrë, ta dënoj këtë fushatë dhe të ndikojë në ndaljen e saj.

SHBA meriton respekt dhe falënderim të përhershëm të Kosovës dhe të çdo qytetari të saj.

Tags: , ,