Lehtësohen masat – hapen kafiteritë, restorantet dhe qendrat tregtare

Kafiteritë, restorantet, qendrat tregtare dhe taksitë janë bizneset që do t’ju lejohet ushtrimi i aktiviteteve në fazën e tretë që nga vendosja e masave të reja që nga përhapja e pandemisë së COVID-19 në Kosovë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në një konferencë për medie ka thënë se është shfuqizuar vendimi që kishte mbyllur këto aktivitete.

“Kemi shfuqizuar edhe pikën 6, me të cilën mbylleshin kafiteritë, restorante dhe qendrat tregtare, pra nga nesër [e hënë] hapen”, ka thënë Kurti, shkruan Telegrafi.

Heqja e masave në mënyrë graduale kishte filluar më 4 maj, ku kishin vazhduar deri në një vendim tjetër të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Masa e para do të nisë nga data 4 maj deri më 18 maj, faza e dytë do të jetë nga 18 maji, ndërsa faza e tretë nis nga 1 qershori deri në vendimin tjetër. Katër maji është dita kur do të fillojmë heqjen graduale drejt një realiteti të ri. Masat e reja do jenë në përputhje me normalitetin e ri”, kishte njoftuar ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, përcjell Telegrafi.

Lidhur më këtë, përfaqësues të bizneseve kanë thënë se shumë biznese do të falimentonin nëse nuk do të bëhej heqja e masave.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi ka thënë se rreth 80 për qind e lokaleve kanë deklaruar se do të falimentonin nëse nuk do të hapeshin edhe dy muaj.

Kllokoqi deklaroi se ndihma që kanë marrë nga Ministria e Financave dhe Transfereve ka qenë për punëtorët dhe qiradhënësit, por që bizneset nuk kanë përfituar asgjë nga Pakoja Emergjente Fiskale.

“Po bëhen dy muaj e gjysmë prej se kur jemi mbyllur, subvencionet mund të them që kanë qenë ndihmë sociale, ato kanë qenë për punëtorët edhe qiradhënësit, por si biznes nuk kemi përfituar diçka. Diku 76 për qind kanë thanë që nëse vazhdon edhe për dy muaj kishin për të falimentuar. Ka edhe raste kur e kanë shit biznesin edhe janë largu. Ajo ‘take away’ nuk ka qenë diçka, shumica kanë thënë se kanë punuar me humbje, por kemi thënë që duhet të punojmë, le të kthehet pak shpirti qytetit, se shumë kanë punuar edhe me humbje”, tha Kllokoqi për RTV Dukagjini.

Po ashtu, drejtori i Hotel Dukagjini në Pejë, Besnik Shabi, ka thënë se janë të gatshëm që të fillojnë punën pas një periudhe të gjatë.

“I kemi ndërmarrë të gjitha masat sa i përket mbrojtjet, duke filluar nga dezinfektues, maska e të tjera. Nga sot kemi filluar punën, me dhoma, restorantet, baret dhe të gjitha. Kemi bërë disa renovime në verandë, në sallën e banketeve, do të ketë risi gjatë gjithë kohës jemi përgatit për diasporën që mezi presim të na vijnë. Ne mezi po e presim momentin që na vijnë, i kemi marrë të gjitha masat. Të gjitha ato të cilat i kemi shërbyer para pandemisë, na u bënë gati tre muaj që nuk kemi shërbyer, tash të gjitha do të shërbehen. Na është paguar rreth 70 për qind e pagës, megjithëse nuk kemi punuar asnjë ditë”, tha Shabi, përcjell Telegrafi.

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi në një konferencë për media ka prezantuar Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike, vlera e së cilës pritet të jetë 1.26 miliardë euro.

Sipas Bislimit, fokusi kryesor i kësaj pakoje do të jetë mbështetja e secilit biznes me kredi, i cili gjatë kësaj periudhe pandemie ka pasur rënie të aktivitetit ekonomik.

Në kuadër të kësaj pakoje janë paraparë edhe 11 masa të cilat do të zbatohen gradualisht nëse kjo pako aprovohet nga Qeveria e Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje.

Aktualisht janë gjithsej 1,083 raste me COVID-19, me 843 të shëruar dhe 30 të vdekur. /Telegrafi/