Lëndohen 10 udhëtarë që udhëtonin nga Prishtina drejt Baselit

10 udhëtarë janë lënduar në aeroplanin që ishte nisur nga Prishtina për në Basel të Zvicrës, në orët e pasdites të së dielës.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e EuroAirport të Baselit, Vivienne Gaskell.

Rreth 20 deri 25 minuta para aterrimit, aeroplani i linjës ALK Airlines kishte pasur turbulenca të shumta gjatë fluturimit, gjë që ka sjell deri tek lëndimi i udhëtarëve.

Për më tepër, ekipet e ndihmës së shpejtë dhe zjarrfikësit kishin hyrë në pistën e aeroportit të Baselit për transportimin e menjëhershëm të 10 udhëtarëve të lënduar drejt spitalit të këtij qyteti.

Në bordin e aeroplanit të nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës udhëtonin 121 udhëtarë, ndërsa të lënduarit kishin pësuar lëndime të lehta, raporton 20min.ch.

Sipas njërit prej udhëtarëve, një person ishte lënduar rëndë në kokë duke i rrjedhur madje edhe gjak. Kurse, një lexues i kësaj agjencie të lajmeve ka theksuar se, sipas familjarëve të tij që ishin në aeroplan, ulëset ishin shqyer nga ankorimi.

Megjithatë, zëdhënësja Gaskell nuk ka qenë në gjendje të tregojë për shkaqet e turbulencave të forta, ndërsa kjo pritet të qartësohet nga kompania ALK Airlines që ka operuar me këtë fluturim në linjën Prishtinë-Basel.