Lideri demokrat, Basha, thotë se kriza do thellohet

Shkuarja në zgjedhje pa opozitën, sipas Lulzim bashës do ta thellojë edhe më tej krizën politike. Në një intervistë për Radio Europa e Lirë, kryetari i Partisë Demokratrike përmend kushtin që opozita thotë se e ka të panegociueshëm.

“Asgjë nuk do ta zgjidhë këtë krizë pa u ndëshkuar hajdutët e votave qofshin kriminelë të rrugë apo politikanë të bërë njësh me krimin. Ky është një kusht i panegociueshëm, jo thjesht për opozitën. Nëse nuk arrijmë këtë, nga kjo krizë do të shkojmë në një krizë akoma më të thellë”.

I pyetur për mundësinë e uljes në dialog  me Edi Ramën, kreu i Partisë Demokratike thotë se zgjidhja e krizës nuk mund të vijë nga një pazar mes palesh.

“Ftesa për dialog që bëhen për sy e faqe nuk janë ftesa por bëhen sa për sy e faqe për t’u hedhur hi syve shqiptarëve. Në krizën aktuale është e qartë se shkaktari kryesor është z.Rama që për pushtetin e tij ka lidhur pakt me krimin”.

30 Qershori sipas tij do të jetë një farsë që nuk kanë asgjë të përbashkët me demokracitë perëndimore.

“30 Qershori nuk është një datë zgjedhjesh, votime ka edhe në Korenë e Veriut. Për liri dhe demokraci flet edhe Maduro i Venezuelës, procese farse mban edhe Berdimuhamedov i Turkmenistanit, po këto nuk janë standarde perëndimore. Nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën, nuk mund të ketë zgjedhje pa kandidat”.

Basha akuzoi mazhorancën se ka qenë ajo që ka stopuar hetimet për vjedhjet e zgjedhjeve dhe pushteti i lidhur me krimin që ka penguar hapjen e negociatave.