Ligjvënësit amerikanë dënojnë pushtimin e Turqisë në Siri

Turqia kundërshtoi të mërkurën legjislacionin e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara që bën thirrje për sanksione ndaj zyrtarëve turq në lidhje me ofensivën e Turqisë në veri të Sirisë dhe një masë që njeh vrasjen e armenëve nga turqit osmanë si gjenocid.

Ministria e jashtme turke tha se thirri ambasadorin amerikan në Ankara, David Satterfield pasi Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të martën legjislacionin dypartiak.

Projekt-ligji i sponsorizuar nga Kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtme, demokrati Eliot Engel nga Nju Jorku dhe ligjvënësi republikan Michael McCaul nga Teksasi do të ndëshkojë zyrtarë të lartë turq të përfshirë në vendimin për ofensivën në veri të Sirisë dhe kryerjen e abuzimeve të të drejtave të njeriut kundër kurdëve.

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi projektligjin me 403 vota pro dhe 16 kundër.

Një deklaratë e ministrisë së jashtme turke e quajti këtë veprim “të papajtueshëm me frymën e aleancës sonë të NATO-s” dhe tha se ligjvënësit “ishin duke legjitimuar pa kujdes një grup terrorist me retorikën dhe veprimet e tyre”. Turqia i konsideron kurdët sirianë, aleatë të separatistëve kurdë që kanë luftuar për autonomi brenda Turqisë për tre dekada.

Presidenti Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara kishin ndërmjetësuar një armëpushim “të përhershëm” të Turqisë në Siri javën e kaluar, duke hequr sanksionet e vendosura kundër Ankarasë përmes një urdhëri ekzekutiv. Por ligjvënësit amerikanë kanë shprehur shqetësim të vazhdueshëm në lidhje me ndikimin afatgjatë të vendimit të papritur të presidentit Trump për tërheqjen e forcave amerikane nga Siria, duke i hapur rrugën hyrjes të forcave turke në zonë dhe duke rrezikuar aleatët kurdë të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Shtetit Islamik.

Presidenti Trump urdhëroi tërheqjen e trupave amerikane nga Siria veriore pas një bisede telefonike me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili ishte gati të pushtonte Sirinë për të krijuar një zonë sigurie dhe për të larguar trupat dhe civilët kurdë.

“Presidenti Trump e ka lënë Erdoganin të lirë të kryej një sulm të rëndë që po destabilizon rajonin dhe po kërcënon sigurinë ndërkombëtare,” tha zoti Engel të martën. “Presidenti Trump dhe Presidenti Erdogan janë përgjegjës për katastrofën në veri-lindje të Sirisë – ata të dy duhet të përgjigjen”, shtoi ligjvënësi.

Engel e karakterizoi legjislacionin si një përpjekje për të siguruar që Erdogani të përballet me pasoja për veprimet e tij në Siri. Por anëtari republikan në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve theksoi natyrën dypartiake të përpjekjes, duke thënë se legjislacioni ishte një mjet për negociatat e Shteteve të Bashkuara me Turqinë.

Zoti McCaul vlerësoi “negociatat delikate” të Nënpresidentit Mike Pence dhe Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo me aktorët në rajon dhe tha se legjislacioni i jep Shtëpisë së Bardhë më shumë pushtet në negociatat me Turqinë.

“Ky projektligj e stimulon Turqinë që të pajtohet me armëpushimin. Nëse ata nuk e bëjnë një gjë të tillë, do të ketë pasoja në formën e sanksioneve të rrepta”, tha zoti McCaul të martën.

Akti për Mbrojtje nga Konflikti me Turqinë (PACT) ndalon shitjen e armëve Turqisë për përdorim në Siri, penalizon institucionet financiare turke të përfshira në sektorin ushtarak dhe urdhëron raportimin e pasurive dhe financave të Erdoganit.

Zoti Engel vuri në dukje gjithashtu se legjislacioni kërkon që administrata Trump të hartojë një strategji gjithëpërfshirëse për të luftuar një rigjallërim të ISIS-it në rajon dhe mbrojtjen e partnerëve kurdë.

Në fillim të këtij muaji, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë që dënon vendimin e administratës Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria me një votim prej 354-60. Projekt-ligji për sanksione turke që u miratua të martën duhet të miratohet në Senatin amerikan me shumicë republikane dhe të nënshkruhet nga presidenti përpara se të bëhet ligj.

Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve e shoqëruan projekt-ligjin e sanksioneve me një masë që ka provuar prej kohësh të jetë një pikë e nxehtë në marrëdhëniet SHBA-Turqi.  / Zëri i Amerikës