Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas intervistës së të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Limaj tha se Grenelle bëri të qartë se çka pret administrata amerikane nga institucionet e reja në mënyre që të thellohet marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve.
Limaj ka vlerësuar se Kosova duhet të shprehë zotim dhe përkushtim në agjendën e përbashkët për t’i dhënë mundësi përmbylljes së dialogut Kosovë- Serbi si dhe për t’i dhënë një perspektivë Kosovës e rajonit drejt integrimeve evropiane.
Shkrimi i plotë:
Mesazhi i ambasadorit Grenell ishte i qartë dhe konkret për angazhimet e politikës amerikane në drejtim të Kosovës dhe po ashtu e bëri të qartë se çka pret administrata amerikane nga institucionet e reja dhe drejtuesit politikë të Kosovës për të ruajtur e thelluar marrëdhëniet strategjike mes nesh.
Ne duhet të shprehim zotim, përkushtim dhe koordinim në agjendën e përbashkët për t’i dhënë mundësi përmbylljes së dialogut Kosovë – Serbi, si dhe për t’i dhënë një perspektivë ekonomike e politike Kosovës dhe rajonit drejt integrimeve euroatlantike.