Lista Serbe në Qeveri, por jashtë koalicionit qeverisës

Lista Serbe mund të mos jetë pjesë e koalicionit të ardhshëm qeverisës, por jo edhe e Qeverisë. Kështu së paku thuhet në Kushtetutën e Kosovës, e cila ia garanton këtij komuniteti të marrë udhëheqjen e një dikasteri qeveritar në rast të një qeverie me 12 ministri, shkruan gazeta “Zëri”.

Lista Serbe (LS) së paku deklarativisht është shprehur se nuk ka ambicie të jetë pjesë e qeverisë së re, e cila pritet të formohet së shpejti. Për ta lënë jashtë koalicionit qeverisës këtë parti po pretendon edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili aktualisht është mandatar dhe është duke negociuar për përbërjen e re të ekzekutivit.

Kurti është shprehur se nuk do t’ia nisë qeverisjes duke vrapuar pas Listës Serbe, gjë të cilën e kishte bërë qeveria në largim e Ramush Haradinajt. Ai kishte pritur për disa orë Listën Serbe që të vinte në Kuvend dhe të votonte pro formimit të Qeverisë së PAN-it.

Njohësit e çështjeve politike theksojnë se qeveria e ardhshme, e cila mund të formohet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, mund ta përjashtojë Listën Serbe nga koalicioni i mundshëm me ta, por jo edhe nga Qeveria. /Zëri/